Presidenti i Republikës Ilir Meta, i ka dhënë sot nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastas Janullatos. Pas dhënies së pasaportës shqiptare,. Meta me anë të një postimi në Facebook, ka zbardhur dhe arsyet e dhënies së nënshtetësisë shqiptare kreut të kishës autoqefale në Shqipëri.
Meta shkruan se kryepeshkopi Janullatos, ka dhënë prej 25 vitesh një kontribut të jashtëzakonshëm në përgatitjen e klerikëve shqiptarë.
Ja postimi i Metës:
Të dashur miq,
Në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos.
Kontributi dhe përkushtimi i tij në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kudo në botë.
Fortlumturia e Tij ka dhënë, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e tjerë të besimeve fetare në Shqipëri, një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë.
Bekuar qoftë harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve!