Në rajonin e Ballkanit ka njerëz të cilët mund të konsiderohen me të vërtetë heronj për veprimet e tyre, shkruan Balkan Insight, publikim i BIRN-it, që fokusohet te lajmet, analizat, komentet dhe raportet investigative nga Evropa Juglindore.
Një vend të veçantë në këtë analizë zënë edhe efektivët e policisë shqiptare, të cilët shpëtuan jetë njerëzore gjatë përmbytjeve të fillimit të muajit dhjetor.
“Dimrat e kaluar kanë qenë të vështirë për shumë banorë në Shqipëri. Mijëra persona kanë parë shtëpitë dhe tokat e tyre të përmbytura, disa herë edhe duke rrezikuar jetët e tyre”, shkruan Balkan Insight.
“Heronjtë e vërtetë në këto ngjarje kanë qenë forcat speciale të policisë dhe ushtrisë, të cilët kanë marrë përsipër rreziqe për të evakuuar njerëzit nga zonat më të rrezikshme. Një skuadër speciale e policisë nga qyteti i Shkodrës, duke punuar larg publicitetit, ka kryer një nga detyrat më të vështira që sjellin përmbytjet: atë të kërkim-shpëtimit të njerëzve të cilët ishin gjendur të rrethuar nga uji apo që ishin marrë prej tij”, shton BI.
“Këtë vit, ata shkuan drejt jugut të Shqipërisë për të ndihmuar komunitetet në Vlorë dhe Fier, që përballeshin me rrezikun që sjellin shirat e rrëmbyer. Kjo skuadër e mirëtrajnuar shkon edhe në vende të tjera të Evropës për të kryer operacione shpëtimi”, thuhet në shkrimin e Balkan Insight.
“Ardian Zhuraj, komandant i skuadrës thotë se kurajoja dhe përgatitja serioze fizike janë cilësitë më të mira që kërkon kjo skuadër, ndërkohë që Alfons Gjergji, një nga anëtarët e saj, thotë se edhe pse puna është e rëndë, kënaqësia që sjell është më e madhe”, shtohet në të, raporton ata.
“Ne jemi krenarë dhe ndjejmë gëzim kur u japim njerëzve ndihmën për të cilën ata kanë nevojë”, thekson ai.