Gjatë vizitës së punës në Korçë, ministrja Etilda Gjonaj vizitoi burgun e sigurisë së lartë në Drenovë.
Në takim me strukturat drejtuese ku i pranishëm ishte dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Arben Cuko, ministrja vuri theksin tek reforma në sistemin penitenciar, e cila do të sjellë rritjen e profesionalizimit të stafit policor.
Gjonaj: Kjo reformë do të fillojë me një vetting të figurës së stafit, për të vijuar më pas me vlerësimin profesional për secilin prej tyre.
Ministrja Gjonaj vizitoi nga afër ambientet e brendshme të këtij institucioni, ambientet e gatimit si dhe ambientet e spitalit ku u takua me personelin civil që punonte aty.
Gjithashtu Ministrja e Drejtësisë zhvilloi disa takime në dhomat e të miturve të paraburgosur, duke patur një bashkëbisedim me secilin prej tyre.