“Muaji i dhjetorit, muaji përmbyllës i vitit, për familjen tonë ngjyrosej me larmi kuptimesh, ndjesish, emocionesh. E ndërsa ditët ndiqnin njëra-tjetrën, shumë shpejt nisnin porositë për kartolina, bisedat për gjelin e detit, për verën e porositur e për shumëçka lidhej me natën e ndërrimit të viteve”, kujton e bija, Elona Agolli, teksa rrëmon në sënduqet e t’et. I kujtohen fraza bisedash të mbetura prej pothuaj pesë dekadave pranë babait. “Po ‘Klik’-u nuk ka bërë sivjet kartolina? – thoshte ai tërthorazi, si për t’i drejtuar kërkesën e kartolinave të urimit. “Im atë askurrë nuk harronte t’u shkruante e dërgonte për miqtë e të njohurit e tij. Vitet e fundit i ndante një pjesë me Sadijen, mamanë time, pasi dora i lodhej më shpejt dhe gërmat formonin figura të çuditshme, me të cilat edhe vetë habitej, por edhe argëtohej jo rrallëherë”, rrëfen Elona. Imazhe prej kartolinave e dorëshkrimeve që botohen sot në “Gazeta Shqiptare” për herë të parë, kujtojnë jo vetëm zakonin e përvitshëm të shkrimtarit, por edhe marrëdhënien e tij me ata që deshi më shumë.
Për Agollin, shkrimi i kartolinave të urimit niste nga më të afërmit e dashur, e më pas vijonte me miq e shokë. Ja një prej tyre, drejtuar Elonës: “E dashur guguçja ime e bukur dhe e shumëmira Lonë, Unë, ati yt dhe Babagjyshi i Vitit të Ri, të uroj jetë të lumtur dhe të gëzuar me të pamposhturin Luan dhe të shkathëtin tigër Luel.