Në muajin prill nis zbatimi i TVSH-së për bizneset me xhiro mbi 2 mln lekë

0
1068

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se duke nisur nga 1 prilli i këtij viti do zbatohet skema e TVSH-së për bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë në muaj. Sipas drejtorisë së Tatimeve, do zbatohet TVSH-ja, prej 20% për çdo shitje të kryer.

 

 

Tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 Prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar).

Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda dates 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH; Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda dates 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40.000 (dyzet mijë) lekë, ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë. Paraprakisht këta tatimpagues duhet të përpilojnë (inventarizojnë) listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë.

Ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda dates 31 mars 2018.
Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH. Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e parë kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim.

Administrata Tatimore është në shërbimin tuaj në sportelet e saj të shërbimit, si dhe me Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 00 02. Një program gjithëpërfshirës seminaresh trajnimi me grupe tatimpaguesish, është programuar përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018.

Ndryshimi i përgjëgjësisë tatimore mbështetet në ligjin nr.92/2014 datë 24.07.2014, “Për TVSh-në në RSH”, i ndryshuar neni 117 dhe VKM nr.652, datë 10.11.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 2, pika 1, i cili përcakton se kufiri minimal për regjistrimin e tatimpaguesve në skemën e TVSH-së, është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekë në një vit kalendarik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here