Një automjet është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotme. Policia sqaron se ngjarja ka ndodhur në Lezhë, në lagjen “Skënderbeg”, ku mjeti “Benz” me targë AA066BI në pronësi të shtetasit K.H., 28 vjeç është djegur.
Mësohet se makina ka qenë e parkuar pranë banesës në momentin që ka marrë zjarr.
“Nga veprimet paraprake të kryera dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije të sistemit të rrjetit elektrik”,thotë policia.
Për pasojë ka vetëm dëme materiale në pjesën e përparme të mjetit, ndërsa pritet ekspertiza për përcaktimin e shkakut të saktë.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.