Robert Budina nuk ndalet para vështirësive: Një lek i investuar nga shteti shqiptar, kthen mbrapsht gjashtë lekë të tjera

0
989

Flet Robert Budina, Regjisor: Një lek i investuar nga shteti shqiptar kthen mbrapsht gjashtë lekë të tjera që duhen për të përfunduar atë film, të cilat investohen nga bashkëprodhuesit europianë. Asnjë fushë tjetër prodhuese në Shqipëri nuk i sjell mbrapsht të ardhura të tilla shtetit shqiptar dhe për më tepër, shpërndan kulturën shqiptare në të gjithë botën.

Në Rumani, ku aktualisht regjisori Robert Budina po përfundon post-produksionin e filmit të tij të ardhshëm, xhiro vjetore e industrisë audio-vizive është rreth 100 milionë euro. Budina pohon në një intervistë për Monitor se në Shqipëri buxhetet janë të ulëta krahasimisht me vendet e tjera të rajonit, apo edhe më tej.

Kjo bën që ne të kemi shumë pak teknikë profesionistë që punojnë në fushën e kinemasë krahasuar me vendet e rajonit. Për rrjedhojë, na bën më pak tërheqës për projektet e huaja të aplikuara në Shqipëri, siç mund të ndodhë me vendet e tjera, Maqedoni, Serbi, Kroaci, për të mos shkuar më tej në Bullgari, Rumani ku të ardhurat që vijnë si rezultat i xhirimit të filmave të huaj me buxhete të mëdha rrisin ndjeshëm punësimin dhe industrinë e kinemasë në këto vende.

Si po ecën sektori i prodhimit të filmave shqiptarë?

Në këndvështrimin tim si kineast i thjeshtë, mendoj se po ecën mirë dhe mbi të gjitha në drejtimin e duhur. Ndryshe nga e shkuara, ku kinemaja shihej si një mjet shprehjeje vetëm për kineastët me përvojë dhe hapësira për kinestët e rinj ishte shumë e kufizuar, sot kjo gjë nuk ekziston më dhe hapësira për kineastët e rinj është rritur ndjeshëm. Edhe prodhimi i filmave është rritur ndjeshëm dhe si rezultat edhe larmia e temave apo trajtimeve të ndryshme nga skenaristët dhe regjisorët shqiptarë.

Dalëngadalë, edhe ne po futemi në të njëjtin ritëm për sa i përket mënyrës se si duhet të konceptohet një projekt, si të zhvillohet ai, si të gjenden financimet, si të prodhohet dhe e fundit si të shpërndahet që ta shohin sa më shumë njerëz qoftë në Shqipëri apo edhe jashtë saj. Në kushtet e sotme, kinemaja ka marrë një dimension më global se në të kaluarën dhe një film nuk mund të prodhohet më vetëm për publikun e vendit të origjinës, por për të gjithë botën. Si rezultat, veçanërisht në Europë, është prioritet bashkëprodhimi i filmave mes vendeve të ndryshme.

Kjo kërkon profesionalizëm në planin produktiv të filmit, pasi dhe kërkesat dhe cilësia që duhet për të përgatitur një projekt të përmasave europiane është e lartë. Përpjekjet që po bën Qendra Kombëtare e Kinematografisë në këtë drejtim për të rritur mundësinë e producentëve shqiptarë që të bëjnë sa më shumë bashkëprodhime me vende të tjera europiane është realisht për t’u vlerësuar. Kështu, për shembull, çdo projekt i metrazhit të gjatë që prezantohet në Qendër, duhet të ketë bashkëprodhim dhe duhet të plotësojë kushtet teknike të dosjes që paraqitet në Eurimages, dhe kjo nuk është fort e lehtë, pasi duhet të kesh minimumi një bashkëprodhues të huaj dhe të kesh siguruar 50% të buxhetit total të filmit.

Kjo kërkesë i detyron producentët shqiptarë të rrisin cilësinë e punës së tyre profesionale dhe përgatitjes së një projekti. Për këtë qëllim, edhe tek ne kanë filluar të organizohen workshop-e në bashkëpunim me profesionistë të fushës nga e gjithë Europa se si duhet të përgatitet e realizohet një projekt.

I tillë ishte vjet dhe sivjet ‘Albascript’, një workshop mbi shkrimin e skenarit, apo edicioni i parë i Ballkan Film Market këtë vit, që solli në Shqipëri projekte nga i gjithë Ballkani, si dhe producentë, drejtues të institucioneve financuese në Europë për filmin, të cilët kineastët shqiptarë do ta kishin të vështirë t’i takonin në festivale të tjera. Organizimi i një ngjarje me përmasa të tilla rrit në mënyrë të padiskutueshme prestigjin e Shqipërisë në arenën europiane të filmit, pasi e bën atë të pranishme në arenën profesionale europiane të kinemasë. Për më tepër, ky aktivitet rrit shumë mundësinë e bashkëprodhimit të filmave në rajon dhe shpërndarjes së tyre në të.

Një mundësi tjetër e madhe për kineastët shqiptarë është edhe “Creative Europe”, programi Media ku mund të nxirren financime për zhvillimin e projekteve filmike, ku vjet filmi i Bujar Alimanit “Delegacioni” arriti të ishte një nga projektet fitues.
Madje edhe në “Eurimages”, ku konkurrenca është skajshmërisht e madhe, katër filma shqiptarë në dy vjet kanë marrë mbështetje financiare: “Delegacioni” i Bujar Alimanit, “Dita zë fill” i Genti Koçit, së fundmi pak ditë më parë “Derë e hapur”, e Florenc Papas dhe “Portreti i papërfunduar i Klara Belinit” i Namik Ajazit.

Tashmë filmat shqiptarë gradualisht po rrisin edhe pjesëmarrjen në festivale të kategorisë A, gjë e cila do ta bëjë kinemanë shqiptarë më të pranishme në pazëllin e madh të kinemasë botërore. Së fundmi, filmi i Genti Koçit “Dita zë fill” ishte pjesëmarrës në garën zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Sarajevës, apo filmi i Fatmir Koçit “Elvisi kthehet në shtëpi” në Festivalin Botëror të Montrealit, si dhe në shumë festivale që do të pasojnë. Janë në proces përfundimi projekte të tjera filmike të miratuara nga QKK që premtojnë për suksese të mëtejshme ndërkombëtare.

Cilat janë vështirësitë e momentit?

Vështirësitë më të mëdha janë buxhetet e ulëta krahasimisht me vendet e tjera të rajonit, apo edhe më tej. Kjo bën që ne të kemi shumë pak teknikë profesionistë që punojnë në fushën e kinemasë krahasuar me vendet e rajonit. Për rrjedhojë, na bën më pak tërheqës për projektet e huaja të aplikuara në Shqipëri, siç mund të ndodhë me vendet e tjera, Maqedoni, Serbi, Kroaci, për të mos shkuar më tej në Bullgari, Rumani ku të ardhurat që vijnë si rezultat i xhirimit të filmave të huaj me buxhete të mëdha rrisin ndjeshëm punësimin dhe industrinë e kinemasë në këto vende. Për shembull, në Rumani, ku aktualisht po përfundoj post-produksionin e filmit tim të ardhshëm, xhiro vjetore e industrisë audio-vizive është rreth 100 milionë euro.

Një shtëpi, prodhimet shqiptare e kanë të pamundur të mbijetojnë gjatë gjithë vitit, vetëm duke u marrë me kinema. Kjo sigurisht për rrjedhojë ul edhe cilësinë dhe aftësinë e shtëpisë së prodhimit për të qenë një partnere e denjë për bashkëprodhime ndërkombëtare, ku siç e përmenda më sipër duhet një punë me cilësi të lartë për të siguruar financime ndërkombëtare.

Pra rritja e buxheteve për kinemanë do të rriste në mënyrë automatike cilësinë e projekteve, do të punësonte më shumë profesionistë të fushës në këtë sektor, do të rriste bashkëprodhimet me vendet e tjera, do ta çonte filmin shqiptar në një stad më të lartë, do ta bënte atë më të pranishëm në festivale ndërkombëtare dhe pa diskutim që shumë shpejt do të vinin edhe sukseset në festivalet më prestigjioze botërore si Kanë, Berlin, Venecia, Toronto etj. Shpesh rritja e buxheteve për kinematografinë për njerëzit që janë jashtë kësaj fushe perceptohet thjesht si disa financime për filma që nuk shkojnë asgjëkundi dhe nuk i sheh njeri.

Ndërkohë, është e vërtetuar se një film me standarde europiane duhet të gjejë patjetër bashkëprodhim me vende të tjera për t’u përfunduar siç aktualisht po ndodh me filmin shqiptar. Një lek i investuar nga shteti shqiptar kthen mbrapsht gjashtë lekë të tjera që duhen për të përfunduar atë film, të cilat investohen nga bashkëprodhuesit europianë.

Asnjë fushë tjetër prodhuese në Shqipëri nuk i sjell mbrapsht të ardhura të tilla shtetit shqiptar dhe për më tepër, shpërndan kulturën shqiptare në të gjithë botën.
Nga ana tjetër, prodhuesit dhe kineastët shqiptarë kanë përgjegjësinë që të rrisin nivelin e projekteve të tyre për të arritur jo vetëm suksese artistike, por edhe financiare. Por në momentin që QKK ka vendosur disa standarde për financimin e projekteve, mundësia e dështimit është shumë e vogël.

Çfarë mund të bëhet më tej në këtë drejtim?

Duhet të rriten buxhetet, cilësia e përgatitjes së një projekti, të krijohet mundësia e kontakteve me profesionistë nga vende të tjera, që siç e përmenda më sipër ka filluar të ndodhë gradualisht. Ka ardhur koha që në kushtet e reja ku po shkon kinemaja dhe forma e prodhimit të saj sot në Europë, me krijimin e lehtësive “Tax rebate” (zbritje e taksave për filma të huaj që vijnë të xhirohen në Shqipëri), kjo do të rriste punësimin në fushën e kinematografisë. Nga ana tjetër, kjo do ta bënte Shqipërinë më të njohur për të huajt dhe do të nxiste turizmin.

Në projektet tona të mëparshme, kjo ka ndodhur dhe rezultatet janë shumë konkrete, kemi punësuar me profesionistë të fushës në projekte që shteti shqiptar nuk është investuar si rasti i filmit “Burrnesha”, i cili ishte pjesëmarrës dy vjet më parë në Festivalin e Berlinit. Gjatë xhirimeve të filmit tim të fundit në Valbonë, më ka rastisur të takoj dy turistë gjermanë, që kishin ardhur në Shqipëri pasi kishin parë këtë film dhe ishin kureshtarë të njihnin nga afër traditat dhe gjeografinë shqiptare. Sado që kjo rastësi nuk mund të përbëjë një statistikë nëse bashkëprodhimet e filmave do të ishin më të shpeshta, raste të tilla me siguri do të shtoheshin.

Ndërsa për sa i përket fushës së shpërndarjes së filmit, mendoj se duhet rritur me patjetër kontakti i publikut shqiptar me filmin europian, i cili ndryshon nga ai amerikan që publiku i gjerë është mësuar të shohë në kinema. Filmi europian nuk është vetëm zbavitës, por edhe më edukativ, trajton probleme të shoqërive të ndryshme që janë të ngjashme me tonat, ka eksperimentin artistik brenda saj, ka forma të reja artistike të shprehjes, shpesh të fal kënaqësi estetike shumë herë më tepër se filmat që prodhohen vetëm si mall, siç ndodh me pjesën më të madhe të filmave amerikanë. Me pak fjalë nuk është thjesht një kinema që të kalosh kohën apo të shpëlash trurin, por një kinema që të bën të mendosh, që të rrit vetëdijen qytetare. Kjo ka filluar të ndodhë tashmë në vendet e rajonit dhe rezultatet qoftë edhe ato financiare, janë të prekshme.

Në Kroaci para disa vitesh ishte e njëjta situatë në ndjekjen e filmave vendas nga publiku kroat, por pasi u hartua një strategji e shpërndarjes së filmit evropian, u rrit në mënyrë automatike ndjekja e prodhimit të filmit vendas. Një tjetër koncept bashkëkohor i shpërndarjes së filmit europian është edhe takimi i autorëve të filmit me publikun dhe bashkëbisedimi i tyre me ta. Në këtë mënyrë, publiku e ndien veten më të përfshirë në vepër dhe e ndjek atë më me interes.
Pra duhet të krijohen distributorë privatë shqiptarë që ta mundësojnë një gjë të tillë, apo edhe organizimi i ngjarjeve artistike si festivale që sjellin në Shqipëri filmat më të suksesshëm europianë.

Si qëndrojmë me rajonin për prodhimin e filmave?

Nuk i di shifrat konkrete, por mendoj se aktualisht, pavarësisht buxheteve të ulëta që kemi, mund të jemi edhe përpara vendeve të rajonit për sasinë e filmave të prodhuar, por kjo nuk do të thotë automatikisht që jemi më të suksesshëm se ta. Për të arritur këtë gjë, duhet edhe cilësia, e cila për momentin është modeste, por mendoj shumë më tepër për mundësitë financiare që ka pasur.

Po për fitimet?

Në këtë aspekt, jemi shumë mbrapa për arsye të ndryshme si: Mungesa e një publiku të kultivuar në Shqipëri për të ndjekur filma të tillë. Mungesa e rrjetit të kinemave në të gjithë territorin. Mungesa e buxheteve për shpërndarjen e filmit. Logjika e prodhimit të një filmi kërkon që të investohet në shpërndarjen e filmit i njëjti buxhet që investohet për prodhimin e tij. Mungesa e strategjive të marketingut për filmat shqiptarë, si rezultat i mungesës së distributorëve shqiptarë të filmit.

Çfarë nismash sugjeroni se duhen ndërmarrë për ta bërë këtë sektor atraktiv?

Thjesht të ndjekim atë që kanë bërë vendet e zhvilluara në këtë drejtim. Ligji shqiptar i industrisë audiovizive, që për momentin është i kufizuar vetëm me ligjin e kinemasë dhe ligjin për mediat audiovizive duhet të krijojë kushtet për rritjen e kësaj industrie. E njëjta gjë mund të ndodhte edhe me prodhimet televizive, ku në ligj duhet përcaktuar edhe detyrimi që duhet të kenë televizionet për shfaqjen dhe prodhimin e veprave shqiptare. Duhet ndarë me përqindje sa filma të huaj dhe sa filma shqiptarë duhet të transmetohen dhe natyrisht që shifra duhet të anojë nga filmat shqiptarë.

Nxitja e prodhimit të serialeve shqiptarë nga televizionet, e cila me siguri do të sillte hov të madh në rritjen e punësimit të artistëve dhe teknikëve që punojnë në këtë fushë. Tashmë në Europë, serialet po shihen ashtu si filmat, një mundësi bashkëprodhimi për ngritjen e urave të komunikimit mes popujve përmes veprave artistike dhe tashmë cilësitë e filmave serialë në Europë janë rritur ndjeshëm. Mbase një pjesë e taksave që vijnë nga industria audiovizive duhet t’i shkojë Qendrës së Kinematografisë për të rritur prodhimin e filmave shqiptarë dhe pse jo, për të hapur në të edhe seksionin e filmave serialë shqiptarë, të cilët më pas mund t’u jepen televizioneve shqiptare për t’i shfaqur, në mënyrë që të rritet prodhimi veprave audiovizive shqiptare.

Të gjitha këto kanë nevojë për rregullime në ligjin shqiptar, natyrisht pasi të studiohen në detaje. Kjo nismë, mendoj se kërkon angazhim dhe seriozitet të madh nga ata që janë të interesuar të ndodhë një gjë e tillë. Nëse marrim nisma të tilla dhe e konceptojmë kinematografinë si pjesë e industrisë audiovizive, shumë shpejt do të vinin rezultatet dhe kjo industri do të kishte ndikim të madh për ta bërë shoqërinë tonë më të mirë, pasi edhe fjala e artistëve do të dëgjohej më shumë nëpërmjet veprave të tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here