Akademia e Shkencave, konkurs për veprën më të mirë për Skënderbeun

0
817

I shpallur si Viti i Skënderbeut, 2018-a do të jetë i mbushur me aktivitete kushtuar Heroit Kombëtar. Çdo institucionin kulturor e shkencor, në varësi të specifikave të veta, do të organizojë aktivitete rreth figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Nuk do të mbetet jashtë kalendarit edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 493, datë 13.9.2017, “Për shpalljen e vitit 2018 ‘Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut’”; si dhe nenit 5, pika 1, 2 të rregullores “Për themelimin e çmimeve vjetore shkencore kombëtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; për mënyrën e organizimit të konkurseve; për kriteret e zgjedhjes së fituesve dhe mënyrën e shpalljes së tyre”, miratuar me urdhrin nr. 11, datë 6 tetor 2016, të Kryetarit të Akademisë së Shkencave; me propozim të seksionit të Shkencave shoqërore e albanologjike në Akademinë e Shkencave, kjo e fundit shpall konkursin për veprat dhe botimin më të mirë shkencor kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe epokës së tij; hero kombëtar i popullit shqiptar; protagonist i Rilindjes Europiane.

Ky konkurs është i hapur për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentarë shkruar nga autorë shqiptarë; Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentarë shkruar nga autorë të huaj, shqip ose në gjuhë tjetër; Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentarë në vlerësimin e rrallësisë bukinistike. Përparësi kanë botimet diplomatike-anastatike të letërsisë humaniste shqip dhe/ose në gjuhë të huaj.

Në këtë garë pranohen për konkurrim studimet monografike dhe dokumentarë të botuar prej vitit 2000 deri në vitin 2018. Të drejtën e propozimit e kanë institucionet akademike-universitare, botuesit dhe autorët vetë. Për organizmin e këtij konkursi, pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë ngrihet dhe funksionon një juri e specializuar, me studiues vendas e të huaj. Kjo juri ngarkohet që, në mënyrë autonome, të bëjë pranimin, përzgjedhjen, nominimin dhe shpalljen fitues të tre kandidatëve pjesëmarrës në konkurs.

Juria ngrihet me vendim të Këshillit Ekzekutiv. Pranimi i veprave konkurruese është hapur tashmë që prej datës 1 janar dhe mbyllet më datën 30 qershor 2018. Nominimi i të përzgjedhurve shpallet nga juria më 18 shtator 2018. Me secilin prej pjesëmarrësve në konkurs do të organizohet një ligjëratë akademike e hapur, për paraqitjen e rezultateve të punës së tyre kërkimore. Për secilin prej fituesve do të ndahen diploma dhe një shpërblim financiar. Fituesit do të shpallen publikisht në muajin nëntor, duke përmbyllur edhe Vitin kushtuar Skënderbeut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here