Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka komentuar zhvillimet në seancën plenare të 18 dhjetorit, ku mes protestës së deputetëve opozitarë brenda Kuvendit dhe të qytetarëve jashtë tij, u votua Kryeprokurorja e përkohshme. Në një takim me gazetarët, teksa ka folur për gjuajtjen me këpucë në drejtim të kryeministrit Rama, Kryemadhi thotë se nuk është penduar.
“Sulmeve të krimit do t’i përgjigjem me çizmen e protestës. As nuk pendohem e as nuk tërhiqem nga dy qëndrim. Çizmja është simbol. Protestat do zhvillohen. Nëse reagimi do të jetë i dhunshëm edhe protesta do të jetë e tillë”, u shpreh Kryemadhi.
Duke u ndalur tek protesta e opozitës që pritet të mbahet në gjysmën e dytë të muajit janar, kryetarja e LSI tha se synim i saj është që mundësohet një jetesë më e denjë për qytetarët shqiptarë.
“Diapazoni i protestës është shumë i madh pasi edhe ju vetë po t’ju pyes se çfarë problemi keni nuk dini nga t’ia filloni. Nga arsimi, shëndetësia, pagat e ulëta, taksat, çmimet e larta, etj. Ndaj ne do të bëjmë një organizim të protestës në mënyrë shumëdimensionale. Protesta tashmë ka të bëjë me ekzistencën e familjes shqiptare, nuk mund të vijë një piktor dhe të shkatërrojë historinë e familjeve dhe kombit shqiptar. Ende nuk kemi vendosur për datën fikse. Ajo datë kur do të fillojë do të jetë e mirëorganziuar dhe do të ketë një finale me realizimi e objektivit të saj. Nuk do ketë më çadër”, tha Kryemadhi.