Lirohet nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako. Vendimi është firmosur nga Kryeministri Edi Rama pas propozimit të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhfaj. Në vendin e Çakos në postin e drejtorit është komanduar Rebani Japui.
Pas lirimit nga detyra ministri Xhafaj pati një takim me Çakon duke e falënderuar për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, ndërsa shtoi se mandati i ri qeverisës kërkon një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune.
“Realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit.
Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit” deklaroi Xhafaj. Me lirimin nga detyra të Çakos pritet që të ketë lëvizje të tjera në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe, por edhe në struktura të tjera.