BSH: Bie besimi i biznesit e konsumatorëve, më mirë shërbimet 

0
688

 

Bie ndjeshëm treguesi i ndjesisë ekonomike, një matje tremujore nga ana e Bankës së Shqipërisë e “humorit” të familjeve dhe biznesit privat, që lidhet kryesisht me situatën e tyre financiare dhe perspektivën.

Sipas BSH, ky tregues ra me 3.9 pikë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017. Rënia e TNE-së pasqyroi rënien e besimit në sektorët e ndërtimit, tregtisë e industrisë, si edhe rënien e besimit të konsumatorëve. Nga ana tjetër, besimi në sektorin e shërbimeve rezultoi i përmirësuar gjatë tremujorit në analizë. Megjithë këtë tkurrje, treguesi i ndjesisë ekonomike vazhdon të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij.

Industria
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra me 2.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, sipas bankës qendrore. Por, megjithë rënien e shënuar për të dytin tremujor radhazi, TBI-ja qëndron rreth 7.4 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Ecuria e TBI-së reflektoi rënien e dy prej balancave formuese të tij: kontratave porositëse, me 6.4 pikë përqindje, dhe prodhimit, me 1.9 pikë përqindje.

Kontratat porositëse nga eksportet dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, shënuan rënie, po ashtu si dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve, me 1.4 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar pranë mesatares historike të saj, rreth 72.3%. Për sa i takon balancave të gjendjes financiare dhe pritjeve për ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm, ato shënuan rritje në tremujorin në analizë.

Ndërtimi
Pas rritjes për tre tremujorë radhazi, treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit ra ndjeshëm me 12.4 pikë përqindje. Kjo rënie e zhvendosi TBN-në rreth 5.3 pikë përqindje nën mesataren historike të tij. Të dy komponentët formues të treguesit shënuan rënie, përkatësisht me 14.8 pikë përqindje aktiviteti ndërtues dhe me 10.0 pikë përqindje kontratat porositëse. Midis balancave të tjera, edhe balanca e pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm rezultoi e përkeqësuar.

Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë, duke qëndruar në 59%. Kjo normë është rreth 3.3 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 5.1 pikë përqindje nën mesataren historike të saj. Përsa i takon balancës së gjendjes financiare, ajo rezultoi e përmirësuar gjatë tremujorit të katërt.

Shërbimet
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve, nga ana e tij, u rrit me 2.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. TBSh-ja rezulton rreth 12.6 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi i TBSh-së u përcaktua nga rritja me 5.3 pikë përqindje e balancës së ecurisë së biznesit. Në të kundërt, komponenti tjetër formues i treguesit, balanca e kërkesës, shënoi rënie të lehtë me 0.3 pikë përqindje.

Midis balancave të tjera të vrojtimit të cilat shënuan rritje ishin gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për kërkesën në tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, balanca e pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm shënoi rënie. Edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 3 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar rreth 70.

Tregtia
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 9.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke u zhvendosur me rreth 1.5 pikë përqindje nën mesataren historike të tij. Niveli më i ulët i treguesit u ndikua kryesisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit (-14.8 pikë përqindje) dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm (-4.9 pikë përqindje).

Balanca e gjendjes financiare vlerësohet gjithashtu me rënie. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë për të tretin tremujor radhazi, duke qëndruar në 67.1%. Tendenca më të përmirësuara shfaqin balancat e punësimit dhe të pritjeve për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm.

Konsumi
Përveç biznesit, edhe treguesi i besimit konsumator shënoi rënie me 0.7 pikë përqindje në tremujorin e katërt, duke ndërprerë rritjen e dy tremujorëve të mëparshëm. Por treguesi vazhdon të qëndrojë rreth 3.7 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij.

Dinamika e TBK-së u përcaktua nga rënia e tre prej balancave përbërëse të tij: situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend (-3.2 pikë përqindje), situata financiaree pritur e familjes (-2.7 pikë përqindje) dhe situata e të ardhurave dhe shpenzimeve (-2.2 pikë përqindje). Ndërkohë, balanca tjetër formuese e TBK-së – blerjet e mëdha – shënoi rritje me 5.2 pikë përqindje, duke e ndikuar treguesin në kahun rritës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here