Ish-kreu i prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, do depozitojë kallëzim penal për kryeprokuroren Arta Marku. Kallëzimi penal pritet që të depozitohet sot nga Gina për shkarkimin e tij nga detyra. Një ditë më parë ai refuzoi vendimin e Markut, pasi sipas tij është antiligjor. Dritan Gina e akuzon Arta Markun për shpërdorim detyre.
Dritan Gina u shpreh: “Nuk braktis detyrën. Refuzoj të zbatoj vendimin e kryeprokurores së përkohshme. Unë nuk jam i komanduar. Jam i caktuar i përkohshëm dhe prokurori i përkohshëm nuk ka tagër ligjor për të më liruar nga detyra. Vendimmarrja i takon Këshillit të lartë të Prokurorisë”.
Një ditë më parë ishte bashkëshortja e Ginës, Rovena Gashi, që paditi në Gjykatën Arta Markun. Gashi kundërshton urdhrin e lirimit të saj nga pozicioni i Drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë.