Dalja e fundit në ekran e mjeshtrit të madh të valles Rexhep Çeliku i cili u nda sot nga jeta në moshën 63-vjeçare ishte vetëm katër ditë më parë, kur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i akordoi Dekoratën ‘Nderi i Kombit’ me motivacionin:
“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.
Bashkë me Çelikun, Presidenti Ilir Meta vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit” valltaren shqiptare Liljana Cingu.
Kreu i shtetit i konsideroi ata ambasadorë të kulturës shqiptare, të cilët kanë përfaqësuar denjësisht vlerat e trashëgimisë sonë në skenat brenda vendit por edhe në mbarë botën.
Meta: Në çdo shfaqje e festival ku kanë marrë pjesë, ata kanë shpalosur me interpretimin e tyre vlerat më të larta të artit koreografik shqiptar. Artistja e madhe, Lili Cingu është vlerësuar nga kritikët e artit botëror si “Perëndesha e valles” dhe është nderuar me çmime, urdhra e medalje të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Rexhep Çeliku, biri i një familje gjirokastrite të traditës kombëtare, ndoqi trashëgiminë e të atit duke e gdhendur vallen popullore shqiptare në tempullin e kulturës.
Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku, i kushtuan një jetë valleve shqiptare. I interpretuan ato me mjeshtëri në çdo skenë anë e mbanë botës dhë rrëmbyen duartrokitjet e shqiptarëve e dashamirësve të artit.
Dy artistët e njohur të kulturës shqiptare u vlerësuan për pasionin, përkushtimin por edhe përfaqësimin dinjitoz të vlerave të trashëgimisë kulturore.
Vlerësimin dy valltarët e ndanë me kolegët të cilët kanë bashkëpunuar ndër vite.
Emblemat e valles shqipe, Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku iu bashkuan Ansamblit Popullor në moshën 16-vjeçare.