Dollari amerikan ka prekur sot nivelin më të ulët të tre viteve të fundit, duke u këmbyer sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 110.34 lekë, 1.37 lekë më pak se një ditë më parë. Monedha e gjelbër nuk e kishte kapur këtë nivel që prej 29 tetorit të 2014-s. Dobësimi i monedhës amerikane ka ardhur si reflektim i dobësimit të tij në tregjet ndërkombëtare.

Monedha e përbashkët europiane ka arritur në nivelin më të lartë të tre viteve në Europë përkundrejt Dollarit, ndërsa në tregun vendas rritja ka qenë e papërfillshme, me vetëm 0.07 lekë më shumë se një ditë më parë. Euro shënoi nivelin më të lartë të tri viteve pas formimit të koalicionit qeverisës në Gjermani. Ngjarjet politike si formimi i kabinetit qeveritar në Gjermani dhe referendumi për shkëputjen e krahinës së Katalonjas kishin dobësuar disi raportet e këmbimit të euro me dollarin.

Euro gjatë javës së dytë të janarit, ka ruajtur stabilitetin në tregun vendas, duke ruajtur të njëjtin nivel këmbimi prej 133.43 lekësh sipas Kursit Zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Luhatje të mëdha në tregun vendas ka pasur dollari. Që prej fillimit të vitit është zhvlerësuar me gati 1 pikë.

Në tregun vendas, këmbimi i euros me lekun kryesisht varet nga ofertë-kërkesa në vend, ndërsa këmbimi i dollarit me lekun vjen i ndikuar prej tregut ndërkombëtar, siç argumentojnë edhe ekspertët.

Me përfundimin e efekteve sezonale dhe rënien e qarkullimit aktivitetit tregtar (janari njihet si muaj me aktivitet të ulët) euro pritej që të kishte pozita më të forta në tregun vendas.

LEAVE A REPLY