Ish-ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj, ka folur për gjendjen aktuale të Policisë së Shtetit në këtë 105-vjetor të saj.

 

Demiraj,është shprehur se 2017-a ka qenë vit i rëndësishëm kundër kanabizimit të vendit, por kjo edhe falë opozitës që ka denoncuar me emra.

Ish-ministri tha se largimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, nga ministri Xhafaj ishte një veprim i mirë, duke e cilësuar atë përgjegjës për gjendjen e krimit në vend.

Dritan Demiraj u shpreh në studio se policia e  shtetit është e politizuar, pasi sipas tij që me ardhjen në pushtet të PS, janë larguar drejtuesit më të aftë që policia ka pasur.

“2017 ka qenë një vit i rëndësishëm në luftën kundër kanabizimit të vendit, kjo për shkak të presionit ndërkombëtar dhe të opozitës në këtë çështje, e cila me emra ka denoncuar raste të rëndësishme.

Përfshirja në trafikun e drogës është një njollë e zezë për policinë, por nuk mund të themi që policia nuk ka punuar mirë.

Kemi arritje pozitive në kapjen e individëve kriminalë, por situata e vendit është larg asaj që kërkohet si një vend që kërkon të jetë pjesë e familjes europiane.

Mospasja e një drejtori të ri të emëruar, krijohet rasti që grupet kriminale të veprojnë më me liri. Përshëndes veprimin e Xhafës për largimin e Haki Çakos. Pavarësisht se unë kam pasur një bashkëpunim me z. Çako, ishte koha për një ndryshim. Sepse ai ishte përgjegjës për këtë situatë që ka kaluar Shqipëria.  Policia e shtetit është e politizuar. Kjo nuk ka diskutim se që në javën e parë që PS mori drejtimin, largoi nga detyra personat e drejtuesit më të aftë të policisë. U larguan rreth 900 punonjës, që sot kanë fituar gjyqet e nuk janë kthyer në punë,” tha Demiraj.

Për ministrin Xhafaj, Demiraj tha se suksesi i tij i parë ishte largimi i Çakos. “Xhafaj ka pasur një pengesë të madhe për largimin e tij, se nuk mund të mbash në drejtim të policisë dikë në kohën e të cilit ka lulëzuar kanabisi. Xhafaj nuk mund ta bëjë këtë punë vetëm, duhet të bashkojë e gjithë qeveria dhe opozita, e shoqëria civile sëbashku. Duhet ta mbrojmë policinë e shtetit,” tha Demiraj.

LEAVE A REPLY