Trajneri i shkodranëve theksoi pas ndeshjes se është shumë i rëndësishëm fakti që është eliminuar defekti i lojës në mbrojtje

Në prononcimin e dhënë pas miqësores së fituar thellë në Ulqin, tekniku Ernest Gjoka u shpreh përgjithësisht i kënauqur me të rinjtë. Ai foli pozitivisht për paraqitjen e skuadrës pa u ndalur shumë te rezultati, pasi nuk duhet marrë fort në konsideratë, duke ditur që përballë ishte një skuadër modeste si Vllaznia B. Më shumë trajneri Gjoka ka folur për mënyrën e lojës, për rreshtimin e skuadrës dhe impaktin e blerjeve të merkatos së dimrit në ekip.
– Profesor, testi i parë për skuadrën tuaj në Ulqin. Sa i kënaqur jeni nga ajo çfarë patë në fushë?
– Nuk ka rëndësi rezultati, profesor Visi me Vllazninë B na bëri nder të madh që na erdhi, sepse ata ende nuk i kanë filluar përgatitjet. Kjo ndeshje na shërbeu shumë.
– Fitore e thellë, por duke lënë mënjanë rezultatin, çfarë vlerësimi keni për paraqitjen e skuadrës?
– E rëndësishme për mua ishte si do të funksiononte skuadra me ardhjet e reja brenda, si do të ishte paraqitja e Berishës, sepse vjen nga një kampionat në një tjetër. Po ashtu edhe Malota, si do të përshtatej, edhe pse ai ka shumë eksperiencë, apo edhe Mersini. Doja të shihja edhe Sukajn a do të përshtatej me pjesën tjetër të skuadrës dhe me fazën sulmuese. Kjo ishte ajo që për mua kishte rëndësi dhe në këtë drejtim vlerësimi im është pozitiv.
– Një Vllazni ndryshe në pjesën e dytë të kampionatit me këto përforcime?
– Sigurisht që kemi arritur të përmirësojnë repartin më të dobët me lojtarë me shumë eksperiencë, me lojtarë shumë të fortë. Personalisht, mendoj se skuadra do të jetë më solide. Aty ku kishim pikën më delikate, mendoj se kemi sjellë disa futbollistë që do të na japin një pamje ndryshe.
– Në opinion është krijuar ideja se Vllaznia ka bërë lëvizjet më të mira në merkato. Ju jeni i kënaqur me atë që keni pasur mundësi të afroni në ekip?
– Po, kënaqësia është me të dyja palët, edhe më shumë kur opinioni sportiv, si dhe ju gazetarët, na vlerësoni për punën që kemi bërë. Mendoj se kemi operuar atë pjesë, që ishte defekti te Vllaznia, me mbrojtjen.
– Administratori Astrit Gjyrezi është shprehur se merkatoja ende nuk është mbyllur
– Unë them se kaq janë mundësitë tona dhe e falënderoj shumë presidenten, zonjën Ademi, e cila ka bërë maksimumin për të na sjellë lojtarët e duhur në merkato, por nuk është çudi që deri në fund të ketë edhe ndonjë futbollist tjetër. Megjithatë, ne mendojmë se kemi bërë maksimumin, jam i kënaqur edhe nëse nuk vjen askush.
– Çfarë vlerësimi keni për paraqitjen e blerjeve në këtë miqësore?
– Mendimi im është pozitiv, sepse ata u përshtaten shumë shpejt me skuadrën. Ky është mendimi im për të gjithë.

LEAVE A REPLY