Ishte 6 maji i vitit 2012 dhe një stadium i tërë u ngrit në këmbë, gati për të duartrokitur edhe më shumë se një ndeshje futbolli… Në fushë, ose “skenë”, një futbollist i shkurtër që emocionohej, por edhe përmbahej, me lule dhe dorën te zemra. Numri “8” pas fanelle dhe një buzëqeshje e sinqertë, teksa në gjermanisht falënderon tifozët “e tij” për 14 vite të mbushura me pasion, dëshirë sakrifica, fitore, humbje, dështime, dëmtime por edhe shumë e shumë emocione. Altin Lala do të largohej nga Hanoveri, por atë ditë maji ai e kuptoi se do të largohej nga futbolli i luajtur… Sepse, aventura shumë e shkurtër te Bajern Mynihu II (luante në ligat rajonale) për vetëm 3 ndeshje ishte ajo që uli edhe siparin e historisë së një futbollisti shtatshkurtër në staturë, por shtatlartë në karrierë dhe respekt… Jo vetëm nderime në Gjermani, por edhe me kombëtaren e Shqipërisë, ku numëron 79 ndeshje dhe 3 gola. Nga futbolli… në futboll, por këtë herë një “rol” tjetër. Jo më shkatërrues, por krijues… Lala është bërë menaxher futbollistësh dhe si i tillë është në hapat e parë, por nuhatja nuk i mungon. Edhe kur i telefonojmë të ngjan me atë person që nuk ka kohë për asgjë. Natyrisht, shqipja është aq e ëmbël sa e zbut në një bisedë të rrjedhshme…

– Përshëndetje, Altin. Ju bezdisim, mos ndoshta keni vrapin e drekës?
– Si jeni? (qesh). Jo, jo! E kam bërë për sot, jam OK tani.
– Ishte një pyetje “grackë” në fakt, për të parë nëse vazhdoni që të mbani veten në formë, si dikur, duke i qëndruar forcës së zakonit…
– Sigurisht që vazhdoj. Pa fizkulturë dhe stërvitje, trupi bie. Është e vetmja armë që kemi ne në dorë për të mbajtur shëndetin.
– Ndërkohë, harruam t’ju pyesim. Në shtëpinë tuaj të dytë ndodheni?
– Dhe cila është? (qesh)
– Gjermania, sigurisht…
– Po, natyrisht që aty ndodhem.
– Një shoku yt te kombëtarja, Ervin Skela, nuk i ndahet fushës, pikërisht aty në Gjermani.
– Më vjen mirë për të. Pasioni e mban gjallë.
– A mban ende kontakte me boshtin e vjetër të Kombëtares?
Sigurisht që po, na mban miqësia e vjetër.
– Me kë takohesh më shpesh?
– Fatmir Vata, Edvin Murati, Ervin Skelën, Erjon Bogdanin por edhe Igli Taren, edhe pse jemi shpërndarë në Europë dhe gjithsecili ka një impenjim.


– Të kthehemi pak te Altin Lala… Çfarë po bëni aktualisht, vazhdoni të jeni menaxher dhe të ndiqni lojtarë me perspektivë?
– Sigurisht, më pëlqen ky profesion, nëse mund të quhet kështu.
– Ku fokusoheni më shumë?
– Gjermani dhe Holandë, pasi aty edhe kam pikat e kontaktit dhe njohjet. Dhe, në ditët e sotme, nëse nuk ke njohje apo raporte me persona që të lidhin me klubet, atëherë bëhet e vështirë.
– Por, mesa dimë, ndiqni edhe në Shqipëri. Si për shembull, portierin Dajsinani…
Po, por ka një problem jo të vogël.
– Cili është, statusi ekstrakomunitar?
– Pikërisht dhe nuk është diçka e vogël në merkaton e sotme.
– Por, në Gjermaninë 2 kemi parë shumë lojtarë të huaj.
– Po, por aty luhet një futboll shumë i ashpër, me disiplinë dhe ku të duhet minimalisht një vit për t’u përshtatur. Nuk është e lehtë… Sepse, në Bundesligën e parë, duhet të jesh vërtet talent me plot kuptimin e fjalës.
– Përmendët edhe Holandën…
– Edhe aty, barriera është e tipit ekonomik.
– Na shpjegoni pak…
– Praktikisht, në Holandë, është vendosur një statut që duhet respektuar në lidhje me futbollistët ekstrakomunitarë dhe, në rast se t’i afron një lojtar nën moshën 21-vjeç, atëherë rroga e tij minimale duhet të jetë 200 mijë euro në sezon, që për standardin e atij kampionati është shumë e madhe… Këtë rrogë mundet ta mbështesin dhe paguajnë vetëm tre klube të mëdha, si Ajaks, PSV dhe Fejnord. Të tjerat, detyrohen të besojnë te produkti vendas, duke e kultivuar. Ndërsa, nëse është një i huaj mbi 22-vjeç, atëherë rroga minimale është 400 mijë euro.
– Domethënë, federata ka vendosur këtë linjë në mënyrë që të rriten talentet vendas?
– Po, kjo është rruga që ka zgjedhur.

– A nuk do të ishte një shembull i bukur për Shqipërinë, pasi kemi të njëjtin problem: afrojmë të huaj dhe të panjohur, duke “mbytur” talentet vendas, që detyrohen të pranojnë rroga të ulëta dhe të luajnë në kategoritë inferiore, deri sa t’i jepet mundësia.
– Duhet shumë punë që të mbërrijmë te modeli holandez, por pse jo, do të ishte e mirë dhe efikase. Në Shqipëri ka lojtarë të dalluar dhe futbolli është rritur mjaft. Shikoni Skënderbeun, që tashmë pretendon të kalojë grupet e Europa League, sepse “bregun” e parë e ka kaluar me kohë, atë të pjesëmarrjes në Europë… Por, edhe Kombëtarja dhe arritja në Europian nuk është pak.
– Të ndalemi pak te kjo pjesë. Ju keni luajtur atëherë kur vështirësitë ishin shumë të mëdha, kur terrenet mungonin, infrastruktura ishte e dobët dhe kur financiarisht ishte vërtet vështirë… Tani, duket sikur jetojmë në një tjetër “planet”, duke folur për ndryshimet rrënjësore. Si e shihni këtë ndryshim?
– Të them të drejtën, kam mbetur i befasuar pozitivisht. Edhe pse nuk është se kam qenë gjatë gjithë kohës në Shqipëri, sërish e kam dalluar ndryshimin drastik. Në infrastruktura, në ide, në revolucion dhe në punën që është bërë në çdo drejtim. E përsëris, rasti i Skënderbeut është reklama më e bukur, por edhe klubet e tjera janë duke punuar mjaft mirë. Tashmë futbollistët shqiptar njihen kudo, teksa edhe një tjetër stadium kombëtar do t’i shtohet Shqipërisë, super modern.
– Të mos harrojmë, ju luanit vetëm në “Qemal Stafa”, por nga 2019 do të ketë mundësi zgjedhje: Shkodër, Elbasan dhe Tiranë.
– Pikërisht, kjo është punë që dallohet, shihet dhe preket. Tre stadiume të mëdha për kombëtaren. Dhe është e gjitha meritë e federatës shqiptare të futbollit, që ndonjëherë duket sikur është i vetmi institucion që është duke dhënë fryte.
– Kohë më parë, i pyetur në lidhje me futbollin, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pati thënë se ky sport është e vetmja hallkë e këtij vendi që po ecën ashtu si duhet…
– E vërtetë dhe flasin faktet. Nëse edhe politika do të ecte në drejtim me futbollin shqiptar, të paktën në këto dhjetë vitet e fundit, sigurisht që sot do të na shihnin me sy tjetër në botë. Natyrisht, për të kritikuar, ne shqiptarët jemi të parët, por harrojmë hapat që janë hedhur.
– Duke u ndalur te futbolli, me kombëtaren si ambasadore të kësaj lëvizje që po sjell fryte, sërish çalohet, te të rinjtë…
– Po, tema që më prek më shumë. Nga ajo që kam jetuar vetë. Duhet që të rinjtë të paguajnë, edhe pse janë talente. Nuk kanë ku të stërviten, nuk kanë infrastruktura dhe nuk tutëlohen. Më kryesorja, mungon disiplina, që është ajo që bën diferencën në atë moshë, për të mos rrezikuar të digjen.
– Ndërkohë, politika, nëpërmjet pushteteve lokale, duket e distancuar nga futbolli, ose sporti në përgjithësi…
– Pikërisht. Mungon mbështetja e tyre. Sepse, federata, në vetvete, nuk ka kapacitetin dhe mundësitë ekonomike për të investuar në çdo infrastrukturë, edhe pse në dekadën e fundit, e ka bërë aq sa buxheti ia ka lejuar. Të mos harrojmë që është institucion i pavarur, por arkëtimet janë të vogla. Sepse, produkti futboll, nëse nuk reklamohet, nëse nuk fitime të mëdha, si në Angli për shembull, atëherë kthehet në një investim bosh. Kjo vlen edhe për presidentët e klubeve, të cilët janë duke bërë çmos për të mbajtur klubet që kanë. Nëse në xhep nuk futet asnjë qindarkë, atëherë për çfarë të vazhdosh?
– Zgjedhjet po afrojnë, kemi hyrë në muajin e së vërtetës… Armand Duka përballë Bashkim Finos. Keni një mendim se kush duhet ta fitojë?
– Mund të them që i njoh të dy, edhe pse njërin nga lidhja me futbollin dhe tjetrin nga njohje të tjera. Sigurisht, e di që zoti Fino është përkrahës i futbollit dhe shkon në stadiume, por këtu flasim për tjetër gjë… Sa i përket Dukës dhe rikandidimit të tij për mandatin e radhës, mund të përdor një shprehje që e kemi dëgjuar në reklama: Ndoshta nuk është më i miri, por më të mirë nuk kam parë!
– Si e shihni ndërthurjen e politikës me sportin dhe polemikat në lidhje me kandidimin e një deputeti?
Në këtë rast këshilla ime miqësore do të ishte që politikanët pasi të kenë bërë detyrat e tyre siç duhet, ndoshta mund edhe të futen nga futbolli.
– Po hidhen shumë kritika dhe akuza ndaj Dukës.
– Janë normale. Edhe nëse ti bën diçka të mirë, do të ketë diçka që nuk shkon, por kështu është ndërtuar bota, të mos harrojmë. Por, në këto dhjetë vitet e fundit zhvillimi është në sytë e të gjithëve. Mjafton të shihni seriozitetin e institucionit. Më falni, mund të përdor një shprehje…
– Patjetër…
– Nga një qebaptore, e kthehu FSHF-në në institucion serioz, me punë dhe përkushtim. Nuk është rastësi. Dhe, mendoj se nuk ka mbaruar ende.
– Pra, po thoni që drejtimi i Federatës është ashtu si duhet?
– Sigurisht, na presin gjëra edhe më të bukura.
– Atëherë, Lala do të kthehet për të punuar sërish në federatë ose për t’i dhënë futbollit shqiptar?
– Jo, jo! Prisni njëherë. Ti japësh futbollit shqiptar nuk do të thotë që detyrimisht duhet të punosh në Federatë. Do ta ndihmoj futbollin shqiptar ashtu sikurse di unë, kjo po, por profesioni që kam tani dhe sidomos impenjimi me biznes janë gjëra që më kënaqin.
– Po nëse të thërret Duka sërish?
Kurrë mos thuaj kurrë, është një shprehje e famshme, por sidoqoftë në këtë moment jam shumë i fokusuar te puna ime aktuale dhe te mbështetja e futbollit sipas mënyrës sime. Dukës I uroj suksese në drejtimin e FSHF, por ai më njeh mirë dhe e di se unë gjithmonë i kam pasur idetë dhe planet personale të qarta… (qesh).

Marre nga SportEkspress

 

LEAVE A REPLY