Zbardhen pasuritë e sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Të gjithë kanë siguruar punë të dytë, të tretë e deri të nëntë. Anëtarë bordesh e këshillash, sekretarët e përgjithshëm të ministrive deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave të ardhura vjetore të majme, shtëpi në Tiranë e rrethe, garazhe, dyqane e makina të shtrenjta.
AIS, një organizatë joqeveritare, në portalin “Spending Data Albania” ka publikuar të dhëna për deklarime të pasurisë dhe interesave ekonomike për sekretarë të përgjithshëm të ministrive, të cilët janë funksionarë të lartë publikë dhe kanë rol të rëndësishëm në integritetin dhe menaxhimin e institucioneve ku punojnë.
PASURITË
Gelardina Prodani, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Financave, për vitin 2016 ka deklaruar një sërë të ardhurash nga “Paga dhe Shpërblimet”. Sipas deklarimit të saj në ILDKPKI, ajo deklaron të ardhura nga paga si sekretare e përgjithshme, 1 433 824 lekë dhe të ardhura nga pagesa si trajnere në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, 7 650 lekë.
Prondani është anëtare në shtatë borde. “Të ardhura si këshilltarë/anëtarë bordesh: 1) Të ardhura nga pagesa si drejtore e Shqipërisë nga Banka e Detit të Zi, 12 740 euro. 2) Të ardhura nga pagesa e bordit drejtues të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, 233 750 lekë. 3) Të ardhura nga pagesa e Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, 403 920 lekë. 4) Të ardhura nga pagesa e Këshillit Mbikëqyrës të Portit Detar, Vlorë, 269 532 lekë. 5) Të ardhura nga pagesa e bordit të AMSHC-së, 8 500 lekë, 6) Të ardhura nga pjesëmarrja në vlerësimin e ofertave të licencave tek AKEP, 55 250 lekë.
7)Të ardhura nga pagesa si anëtare e Këshillit Administrativ të Fastip, 30 600 lekë”, – deklaron Prodani. Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Financave ka edhe një kredi bankare në një bankë të nivelit të dytë në vlerën 130 000 euro, për 20 vjet, interesi 4.8 %, marrë në dt. 05.09.2015. Detyrimi i shlyer 10 165 euro, kuota e kapitalit 3 991 euro interesa, detyrimi i mbetur pashlyer, 125 367 euro.