Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka prezantuar sot Drejtorin e Përgjithshëm të Përmbarimit Shtetëror. Në krye të këtij institucioni do të jetë Piro Lutaj, ish-deputet i Partisë Socialiste, dhe ish-anëtar i Komisionit parlamentar të Sigurisë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Gjonaj shprehu vlerësimet të larta për Drejtorin e ri të Përmbarimit Shtetëror.
“Eksperienca profesionale e z.Lutaj, e bën atë të jetë sa më afër problematikave të Përmbarimit Shtetëror. Presim që nën drejtimin e Lutajt, do të ndryshojë performanca e deritanishme e Përmbarimit Shtetëror. Zoti Lutaj ka mbështetjen time maksimale dhe të kryeministrit Rama”, u shpreh ministrja e Drejtësisë.
Teksa shprehur falenderime për vlerësimin dhe besimin që i është dhënë, Piro Lutaj tha se “Kemi shumë punë për të bërë”.
“Kërkoj bashkëpunimin e stafit dhe reflektim të menjëhershëm për reformimin e Përmbarimit”, u shpreh Lutaj.
Piro Lutaj ka qenë një nga deputetët e qarkut të Fierit deri në vitin 2017. Lutaj nuk u zgjodh më nga Edi Rama për të përfaqësuar PS-në në zgjedhje, por ishte një nga të larguarit që nuk kontestoi këtë veprim.
Ish-deputeti socialist nuk ka bërë asnjë reagim për mosvendosjen e emerit të tij në listë, por sot ai do të mbajë një post të ri në qeverinë “Rama 2”.