Nis sot kompensimi për 450 pronarë/ Nga dorëzimi i dokumenteve tek pranimi i kërkesave

0
706

Nis sot procesi për kompensimin e pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Vlera në total e kompensimit arrin në afro 300 milionë lekë. Përfituesit duhet të plotësojnë shtatë dokumente, të cilat duhet t’i dorëzojnë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave duke filluar nga sot. Mësohet se përfituesit do të jenë në qarkun Dibër, Durrës, Elbasan, Tiranë, Korçë, Fier, Vlorë dhe Shkodër.
“Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 18.01.2018 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë. ATP fton të gjitha subjektet e interesuara të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumenteve përkatëse”, -thuhet në njoftimin e ATP-së.

Pranimi i kërkesave
Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të ATP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Grupi i punës brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës kryen verifikimet e duhura. Drejtori i përgjithshëm i ATP-së brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen. Gjithashtu, ai njofton edhe aplikantët që nuk përfshihen në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.

Dokumentet
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë ATP-së, Tiranë, kërkesën TIP që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial duhet të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi.
Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.

Dokumentet
1. Kërkesa për kompensimin e pronës, sipas formatit TIP, që i vihet në dispozicion nga ATP.
2. Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.
3. Prokurën e posaçme të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);
4. Vërtetimin origjinal i lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar.
5. Fotokopje e dokumentit të identifikimit;
6. Mandat pagesa që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 (dymijë) lekë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here