Vllaznia do të kthehet që sot në Shkodër. Skuadra do t’u japë fund 12 ditëve të përgatitjeve ulqinake gjatë pasdites. Edhe pse kishin menduar që të premten të zhvillonin një miqësore në Mal të Zi, planet janë prishur rrugës.
Motivi: nuk gjetën dot kundërshtar për miqësore. Përtej përpjekjeve dhe akordit paraprak me klubin e Mornar, kjo ndeshje nuk do të zhvillohet.
Ndaj stafi teknik e ka parë të udhës që të gjejë një zgjidhje alternative. Ekipi sonte mbërrin në “bazë”, kurse të nesërmen do të përballet me Tërbunin.
Në pamundësi për të zhvilluar takime testuese në Mal të Zi, kanë programuar një përballje me pukjanët e drejtuar nga Kreshnik Krepi.
Ndeshja mund të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, por as kjo nuk është e sigurt. Gjithçka varet edhe prej kushteve atmosferike.
Nëse do të vazhdojnë reshjet e shiut, ndeshja nuk do të luhet në stadium për të mos ngarkuar terrenin. Në të kundërt, do të spostohet në “Reshit Rusi”.
MIQËSORET Faza përgatitore mund të quhet “e prishur”, duket qenë se në Mal të Zi zhvilluan vetëm një miqësore dhe atë ndaj Vllaznisë B.
Pra, më shumë mund të llogaritet si një lojë brenda familjes, se sa një duel i mirëfilltë. Në kësi kushtesh, Ernest Gjoka ka gjetur zgjidhjen që skuadra të kthehet në Shqipëri një ditë më herët dhe të “masë” forcat me një ekip që militon në Kategorinë e Parë.
Nuk është e para herë që Vllaznia has vështirësi për gjetjen e miqë- soreve, madje edhe vjet ndodhi e njëjta gjë.
Kjo ndeshje do t’i shërbejë trajnerit për të vendosur “piketat” para rifillimit të kampionatit. Sipas të gjitha gjasave, kjo do të jetë edhe miqësorja e fundit para Kukësit, që është edhe ndeshja e parë zyrtare për vitin 2018.