Të panjohurat e jetës dhe betejat e Skënderbeut, në ekspozitën “Mot i madh”

0
710

Kambana e kishës së Karpenit, që daton në vitin 1465 dhe që me tingullin e saj na kujton vitet e lavdishme të epokës së Skënderbeut, statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm, libra dhe portrete të Heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu u ekspozuan sot në Muzeun Historik Kombëtar.

E titulluar “Moti i madh”, kjo ekspozitë solli para vizitorëve momente nga jeta dhe betejat e përfaqësuesit më konsekuent dhe më të shquar të elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.

Në ekspozitë një vend të veçantë zë kambana e Karpenit me tingullin e saj, si gjurmë e kohës, e cila daton në vitin 1465, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman i pasqyruar nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, statutet, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm, portrete, si dhe libra të autorëve të ndryshëm që kanë shkruar për Skënderbeun si Fan Noli, Kristo Frashëri, etj.

Në vëmendjen e vizitorëve ishte edhe topuzi, heshta dhe shpata , me të cilat Skënderbeu luftoi kundër turqve, shkruan “ata”.

Ekspozita “Mot i madh”, e çelur në hollin kryesor të MHK-së do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 janar.

Sot, shënohen 550 vjet nga vdekja e Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet.

Viti 2018 është shpallur nga qeveria shqiptare si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ku gjatë gjithë vitit do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, si dhe do të rehabilitohet Memoriali i varrit të Skënderbeut dhe të Kishës së Shën Kollit, në Lezhë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here