Aktorja e madhe, gruaja që luftoi me sëmundjen e rëndë të tumorit gjatë pesë viteve të fundit të jetës së saj, nuk është më pranë nesh fizikisht. Edhe pse Hajrie Rondo (1951) i kishte thënë sëmundjes “ik tutje se kam pak punë” nuk ia doli dot. Por ajo do të vazhdojë të jetë e pranishme tek të gjithë shqiptarët, në ekranet tona të televizionit, nëpërmjet roleve, që kishte ditur t’i qëndiste plot mjeshtëri, qysh në fillimet e para të krijimtarisë së saj artistike.
E kush do ta harroi rolin e Tanës, që ajo veçonte në çdo bisedë, nga “Përrallë nga e kaluara” me regji të Dhimitër Anagnostit. Askush, që e ka parë këtë film, të paktën një herë në jetë! Disa nga regjisorët dhe aktorët, që patën fatin të bashkëpunojnë me të në kinematografi dhe në teatër, si Saimir Kumbaro, Roza Anagnosti, Birçe Hasko, Leka Bungo dhe Mehdi Malkaj, pasi Hajria ndërroi jetë, kanë rrëfyer mbresat e punës me të.
Roza Anagnosti: Edhe në momentet më të vështira dha frymën për skenën
“Dashurinë e publikut Hajrie Rondo e ka marrë pa masë. E dashuronte aq shumë skenën, saqë edhe në momentet më të vështira nga ana shëndetësore, i dha edhe frymën e fundit. Është e vështirë, që të flasësh kur të ikën një kolege. Është shumë e dhimbshme, por ajo tregoi një forcë të jashtëzakonshme, jo vetëm si artiste, por edhe si grua. Një forcë, që e dominoi gjatë gjithë kohës, që nuk e mposhti, por erdhi fundi edhe mesa duket nuk ishte më në dorën e saj”.
“Për ne ka qenë një artiste shumë e mirë. Dhimitri ka punuar me të tek “Përrallë nga e kaluara”, Tana është një rol fantastik. Por ne të dy, si çift, e kemi respektuar jo vetëm si aktore, por edhe si njeri kontribuues, si një grua, që punoi për emancipimin e shoqërisë”.
Saimir Kumbaro: Kemi humbur një vlerë!
“Ajo ishte me shumë disiplinë artistike, e papërtueshme, që të jepte shumë energji pozitive kur punoje me të. Ajo do të mbetet gjallë, sepse për aq kohë sa ne e shohim në shtëpitë tona, ajo vjen e gjallë me atë mori karakteresh që ka interpretuar. Kemi humbur një vlerë”.
Birçe Hasko: E kam pasur studente, tërë jetës e ka karekterizuar serioziteti për punën
“Unë e kam pasur studente. Ruaj përshtypjet më të mira për të. Gjatë asaj periudhe ka qenë një studente shumë serioze, e aftë edhe e përkushtuar shpirtërisht edhe mendërisht ndaj profesionit. Prandaj rezultatet ishin të larta kur mbaroi shkollën”.
“Ishte një njeri që karakterizohej nga një seriozitet i habitshëm kur ishte në punë. Por natyrisht që ishte edhe një grua me shumë dinjitet, brenda punës edhe jashtë ishte një zonjë e përkushtuar ndaj familjes së saj, deri në shkallën superiore”.
Pëllumb Kulla: Shkroi emrin në arritjet e mëdha artistike
Hajrie Rondo, shoqja jonë e skenës së Fierit, aktorja e talentuar e teatrit dhe e ekranit, u shua pas një sëmundje të rëndë që ajo e luftoi me forcën e jashtëzakonshme të vullnetit të saj, me dashurinë e madhe për jetën ende të re, për burrin e saj, fëmijët dhe familjet e tyre, me dashurinë për artin dhe spektatorin që e çmoi aq shumë në të gjitha paraqitjet e saj në skenë dhe ekran. E mrekullueshmja Hajrie, që për meritë të vet, të aftësive të pamata që kishte brenda saj, shkroi emrin në arritjet e mëdha artistike do të mbetet në zemrat dhe memorien e spektatorëve të Fierit, të vendit dhe të shqiptarëve jashtë kufijve të atdheut, ku ndodhen ata.
Fjalët e artistëve më lart janë marrë nga portale e gazeta ku ato kanë folur rreth kolgese së ndjerë.