Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka folur për çështjen e hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Në një intervistë për Report Tv, Gjosha është shprehur se janë disa çështje që mund të pengojnë hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Ndër të tjera ajo veçon zgjedhjen e kryeprokurores Arta Marku dhe ekstradimin e Nazer Setitit si dy nga çështjet më problematike.
Deputetja Gjosha u shpreh se Shqipëria nuk duhet të bëjë ligje sipas interesave apo kërkesave të BE, por ligje në të mirë të qytetarëve.
“Ajo që ka ndodhur këto kohë është shumë e rëndë duke filluar nga zgjedhja e Kryeprokurores Arta Marku, financieri i Habilajve dhe shumë çështje të tjera. Nëse BE do të thotë nesër se nuk e voton në qershor hapjen e negociatave atëherë do të ishte shumë e rëndë për shqiptarët. Ne nuk duhet të shpikim ligje sipas interesave politike por ashtu siç e kërkon BE-ja. Besoj se çdo protestë i shërben Shqipërisë, kjo tregon se demokracia funksionon prandaj nuk përbën asnjë problem”,- u shpreh Klajda Gjosha.