Qeveria ka parashikuar që edhe komuniteti i LGBT-ve të përfshihen në kategoritë prioritare që do të përfitojnë banesa sociale, në bazë të projektligjit të ri. Por anëtarët e Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë kërkuan më shumë arsye lidhur me përfshirjen e kësaj kategorie.
“Pse nuk specifikohen vështirësitë përkatëse? Mund të jetojnë mirë pse duhet të jenë këtu,” tha Petrit Vasili.
“Është përcaktuar si një shtresë që orientimi i tyre biologjik i tyre i bënë të diskriminuar automatikisht, pra duhet të përfshihen sepse me këto 3,4 pikat përcaktohen si dështakët e shoqërisë,” u shpreh Grida Duma.
“Ne hasim vështirësi sepse qytetarët e tjerë nuk i pranojnë këtë komunitet, ne na kanë ikur nga pallati në Berat sepse e njihte një dyqan në katin e parë, tashti ne jemi këtu dhe këto vështirësi në terren ekzistojnë, ne duhet ti pranojmë,” deklaroi Rajmonda Stefa Nëndrejtoreshë e Entit Kombëtar të Banesave.
Projektligji i ri për strehimit social u diskutua sot në parim në Komisionin përgjegjës. Projektligji “Për strehimin social”parashikon përfshirjen e disa kategorive të reja përfituese siç janë individët e komunitetit LGBT, ata të punonjësve të RENEA-s, FNSH-së, familje me ndihmë sociale por edhe favorizimin e ndërtuesve, kundrejt detyrimit për t’i dhënë shtetit një banesë të tillë. Nga ky projektligj përfitojnë 35 mijë familje.