Wednesday, April 24, 2024
Home Politikë Negociatat me BE, deputetja e LSI, Gjosha: Shpresat tek vettingu dhe administrata

Negociatat me BE, deputetja e LSI, Gjosha: Shpresat tek vettingu dhe administrata

0
584

Me nisjen e vetingut, si të vetmin kusht, Shqipëria i ka të gjitha shanset për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian këtë fund qershori. Por përtej suksesit të një hapi përpara drejt rrugës së integrimit, pakkush flet për negociatat në vetvete, dhe a është gati vendi ynë në kapacitete njerëzore për të nisur këtë proces të gjatë.

Procesi i negociatave, përmban bisedime për 35 kapituj dhe nëse shohim Kroacinë, vendin e fundit që i është bashkuar Bashkimit Europian, negociatat kanë zgjatur për 6 vite. Shqipëria do të duhet të ketë një ekip negociatorësh kryesorë, që sipas ish ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, tashmë duhet të ishin identifikuar.

GjoshaDo të kemi grupe negociatore që do të jenë bërthama, pra do të jenë anëtarë të Administratës Publike. Unë uroj që të kemi një identifikim të këtyre kapaciteteve njerëzore që nesër do të jenë pjesë e grupeve negociatore. Nuk mjafton të jesh vetëm ekspert i fushës që përfaqëson. Do të duhet të ketë një zhvillim të madh si në gjuhën që do të përdoret në negociata po ashtu edhe kapacitetet përballë një pale evropiane tejet të stërvitur për çështje të tilla. Qeveria shqiptare duhet të kishte filluar për identifikimin e këtyre grupeve të interesit dhe njerëzit më të mirë dhe më të aftë për t’u bërë pjesë e grupeve negociatore. Në administratën publike numri i njerëzve që njohin mirë procesin e integrimit numërohen me gishtat e dorës. 

Procesi i negociatave do të jetë një proces teknik, dhe puna e negociatorëve do të jetë të përshtatin legjislacionin vendas me atë të Bashkimit Europian, dhe për këtë, sipas ish ministres Gjosha duhen një armatë me njerëz të përgatitur në administratën publike.

GjoshaMe ardhjen e qeverisë së re në shtator u komunikua një reformë në administratën publike, një reformë e cila vetëm reformë nuk ishte, por ishte një shkarkim nga puna të strukturave bazë dhe sot që flasim ka mungesa të theksuara në emërimet në këto struktura. Apo kemi mos rakordim të strukturave të ministrive që u shkrinë. 

Menjëherë pas hapjes së negociatave, që do të bëhet me një konferencë ndërqeveritare, fillon procesi analitik që quhet screening, vlerësimi i shkallës së harmonizimt të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Europian.  Ky vlerësim mund të zgjasë nga një ditë, deri në 1 vit dhe bëhet për çdo kapitull veçmas. Pas përfundimit të këtij vlerësimi, Këshilli i Bashkimit Europian merr vendimin për hapjen e negociatave për kapituj të veçantë.

Reforma e qeverisë Rama në administratë dhe me shkrirjen e ministrive, sipas ish-ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, e ka futur në kaos këtë proces, pasi drejtoritë e integrimit, janë shkrirë duke eliminuar ekspertizën që duhet për të udhëhequr procesin e përshtatjes së legjislacionit.

GjoshaPo të marrim vetëm rastin e Kroacisë, ka përfshirë rreth 10 mijë kapacitete njerëzore të administratën publike dhe përtej saj për procesin e negociatave, që do të thotë është një armatë e gjerë njerëzish që do të duhet të jenë gati në momentin që çelen negociatat. 

Në 6 shkurt prezantohet strategjia e zgjerimit në Komisionin Evropian deri në vitin 2025, dhe Shqipëria mund të kënaqet vetëm me hapjen e negociatave, me Serbinë dhe Malin e Zi që duket se janë shumë përpara nesh në rrugën e anëtarësimit. Në Shqipëri flitet shumë për hapjen e negociatave, por mungon debati publik për nivelin e përfaqësimit të ekipit negociator, po ashtu mungon dhe dëshira e qeverisë për ta bërë sa më transparent këtë proces dhe për të përfshirë të gjithë aktorët e shoqërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here