Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili ka startuar trasmetimin në Radio Televizionin Publik Shqiptar që në fillimin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e katërt, me titull “Tre ditët e bejtesës për lirinë”.

Ky realizim i autorëve të sipër cituar dhe stafit të tyre, (në të vërtetë është një film-dokumentar, pasi ka shumë inskenime), i kushtohet ngjarjes së vitit të largët 1973, kur të burgosurit politik që vuanin dënimin në kampin e Spaçit, për tre ditë me radhë (21-23 maj), u ngritën në një revoltë me përmasa masive të karakterit politik, duke u përleshur me policinë e burgut dhe forcat e shumta ushtarako-policore që erdhën në përforcim nga rrethet fqinjë me Mirditën si dhe nga Tirana.

Kjo ngjarje tashmë mjaft e njohur (kryesisht pas viteve ’90-të), e cila në atë kohë tronditi nga themelet regjimin komunist dhe shkaktoj panik te udhëheqja e lartë komuniste në Tiranë, vjen për herë të parë në një realizim në formatin e dokumentarit.

Në fokus të tij janë protagonistët kryesorë të asaj ngjarje të largët dhe organizatorët kryesorë të revoltës, ish-të dënuarit politik si: Gjok Zefi (nga fshati Rrushkull i Durrësit), Pavllo Popa dhe Xhavit Lohja (nga Malësisë së Madhe), Gjet Kadeli (me origjinë nga Mirdita dhe banim në Mamurras), Gëzim Çela (me banim në qytetin e Durrësit), Vaskë Orgocka, Ylber Merdani dhe Novruz Golka (nga qyteti i Korçës), Nuri Stefa (nga Vlora, etj.

Të gjithë të sipërpërmëndurit me dëshmitë e tyre para kamerave sjellin në kohë atë ngjarje, duke e rindërtuar atë në mënyrë kronologjike ashtu siç ka ndodhur në atë kohë. Si p.sh: si dhe pse nisi shkëndia e parë e protestës nga i burgosuri Pal Zefi, që refuzoi të dilte në punë, marrja e tij me forcë nga policët e burgut, ndërhyrja e bashkëvuajtësve të tij me në krye Pavllo Popën dhe Dashnor Kazazin që ia rrëmbyen atë nga duart dhe goditja që iu bë operativit të kampit, Fejzi Liço, zgjerimi i revoltës me të dënuarit e tjerë, dhënia e alarmit dhe dalja e forcave të policisë jashtë ambienteve të kampit, ardhja e zv/ministrit të Brendshëm Feçorr Shehut dhe ushtarakëve të tjerë të lartë që e shoqëronin, tentative e tij për negociata me krerët kryesorë të revoltës që kishin hartuar me shkrim kërkesat e karakterit politik, rrethimi i kampit të Spaçit nga forcat ushtarake policore të ardhura nga rrethet fqinjë me Mirditën dhe Tirana, ngritja e flamurit pa yll në ndërtesën më të lartë të kampit, ndërhyrja e forcave sampiste dhe përleshja me të dënuarit, e deri tek arrestimi, hetuesia dhe gjyqi i improvizuar i krerëve të asaj revolte në Tiranë dhe qytetin e Rrëshenit.

Një nga dëshmitë e rralla në këtë film-dokumentar është ajo e Pjetër Kokës, ish-komandantit të forcave të policisë së kampit të Spaçit në atë kohë, i njohur si një nga policët më të rreptë të historisë së atij burgu, i cili rrëfen para kamerave pothuaj të gjithë ngjarjen dhe përleshjet e forcave që ai komandonte me të dënuarit.

Tjetër dëshmi mjaft interesante ëshë ajo e znj. Engjëllushe Daja, e cila flet për dënimin e vëllait të saj, Skënder Daja, një nga katër të dënuarit me vdekje si organizator kryesorë i asaj revolte. Në dëshminë e saj znj. Daja rrëfen dhe për peripecitë e shumta të familjes së saj pas viteve ’90-të për gjetjen e eshtrave të Skënderit dhe tre shokëve të tij, të cilat edhe sot e kësaj dite ende nuk janë gjetur. Në këtë kuadër është dhe dëshmia e Gjok Zefit, ish-i burgosur politik, i cili bashkë me vëllanë e tij, Palin, refuzuan të dilnin në punë dhe ndezën shkëndijën e parë të asaj revolte, e cila për tre ditë me rradhë do të shkaktonte panik të madh tek udhëheqja e lartë komuniste e Tiranës. K

u si rezultat dhe në shënjë hakmarrje, do të dënoheshin me pushkatim, katër nga krerët kryesorë të revoltës, (Pal Zefi, Skënder Haja, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj), ndërsa me dhjetra të dënuar të tjerë (rreth 82 persona) do të ridënohehsin me vite të gjata burgu.

Përveç dëshmive të gjalla të ish-protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje, dy bashkëautorët e dokumentarit, Kaloçi dhe Stafa si dhe stafi i tyre, kanë bërë publike edhe një numër të madh dokumentash arkivore dhe foto të rralla të panjohura më parë. Ky dokumentar që realizohet me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë e kryesuar nga znj. Claudia Vollmer dhe Radio-Televizioni Publik Shqiptar, nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm, Thoma Gëllçi, vjen premierë të mërkurën, në ora 20 e 35 në valët e RTSH.

 

LEAVE A REPLY