Banoret e fshatrave Fierze, Rrasfik dhe Fang të Njesise Administrative të Rubikut në Mirditë, kanë dalë në protestë kundër fabrikës së asfalto-betonit e cila operon në zonën e tyre. Sipas banoreve tymi që del nga fabrika krijon ndotje të ajrit, duke ju sjellë probleme shëndetësore.
Banoret thonë se subjekti në fjalë operon kryesisht gjatë orëve të natës pa asnjë lloj dokumentacioni, ndaj kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për pezullim e aktivitetit të kësaj fabrike.
“Vjen sot këtu dhe na sjellin një impiant si kërpudha pas shiut që jo vetëm ndot zonën dhe habitatet qoftë tokësore dhe ujore por në radhë të parë dëmton shëndetin e njerëzve. Ja ku është shkolla, 100 metro larg nga impianti, shpesh herë fëmijët parashkollor dhe shkollor kthehen të lodhur, lotojnë nga sytë kanë edhe të vjella,” tregoi një banorë.
“Në qoftë se ka qeveri, parlament majtas dhe djathtas nuk duhet të shikoni interesat personale por për fëmijët dhe popullin,” tha një tjetër banorë i zonës ku është impianti.
“Ka katër muaji dhe është e vështirë të durohet por për më shumë kohë se kaq,” u shpreh një zonjë.
“Ne si njerëz dhe si bujqësi nuk bëhet kurrë gjë, impianti është pa asnjë dokument,”deklaroi një i moshuar.
I kontaktuar nëpërmjet telefonit kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj është shprehur se fabrika në fjalë do ta ushtroje aktivitetin përkohësisht, deri në asfaltimin e rrugës Rrëshen-Bukmirë. Për këtë çështje banoret kanë bërë dhe denoncim dhe në polici. Ndërkohë që në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë është referuar kallëzimi penal për shtetasin Paulin Ndreaj 64 vjeç, banues në Sheshaj, bashkëpronarë në firmë private që po kryen aktivitetin në fshatin Rrasfik të Mirditës.