Ministri për Punët e Jashtme dhe Europën, Ditmir Bushati ka hedhur poshtë deklaratat e homologut të tij grek, Nikos Kotzias lidhur me tezën se Greqia do shtrihet deri në 12 milje në det të hapur drejt Shqipërisë. Gjatë një interpelance me një grup studentësh ekselentë të kërkuar përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, Bushati tha se dy vendet po shkojnë drejt një marrëveshje të re cila sipas tij duhet të jetë e drejtë dhe më e mirë se ajo e vitit 2009.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një pikënisje për një marrëveshje të re me Greqinë. Pika e dytë e konturit tonë që kemi bërë të gjithë diskutimin me Greqinë është e drejta ndërkombëtare. Dhe së treti kemi bërë një diskutim mbi legjislacionin e brendshëm. Kemi një mendim se çdo marrëveshje e re që do të krijohet me Greqinë do të jetë më e mirë për Shqipërinë se sa ajo e vitit 2009. Çështja e detit është pjesë e diskutimeve tona, dhe po ballafohen në këto negociata. Po bëhet nëpërmjet parimit të barazlargësisë dhe të territorit. Duhet te kemi një marrëveshje që të jetë e drejtë.
Çdo gjë që është thënë ne media për dhënien e 12 miljeve, për shitje dhe për falje është një shpifje totale. Fakti që ne po shkojmë të një marrëveshje të re nuk e shohim si një gjë që duhet të ishte me kohë dhe jo një triumf”, u shpreh Bushati.
Ligji i luftës?
Ditmir Bushati: “Së pari nuk ndihemi të kërcënuar nga ana e Greqisë. Kemi kërkuar që dekreti mbretëror që sanksioni luftë me Shqipërinë dhe që vuri në sekuestro shumë prona, ne kemi kërkuar që të bëhet shfuqizim. Shqiptarët dhe grekët janë ndër popujt më të vjetër që jetojnë në këtë pjesë të Europës dhe duhet të jetojnë si fqinjë europianë…”
Veto greke për në BE?
Ditmir Bushati: “Është shumë e vërtetë që BE për raste të tilla, sa i takon integrimit, merr vendime unanime. Nevojitet një konsensus për vendimin për negociatat për anëtarësimin e një vendi në BE. Nuk e kemi ndjere vetë të kërcënuar në këto bisedime që zhvillohen prej vitesh, pasi ne besojmë se nuk është në interesin strategjik të Greqisë që të përdorë një politikë bllokuese ndaj Shqipërisë, sikundër në interesin tonë strategjik është që Greqia të jetë një prej mbështetësve tanë kryesore në rrugën e anëtarësimit në BE.
Greqia është vendi ku i mbajt Samiti i Selanikut në 2003 ku u hartuan instrumente të rëndësishëm për procesin e zgjerimit, apo liberalizimit të vizave. Edhe gjatë presidencës së BE, Greqia ka dhënë mbështetje për Shqipërinë. Ne kemi rënë dakord me palën greke për të diskutuar më në detaje çështjet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit”.