Mjeku jep alarmin: Shtatë mijë raste të reja me kancer çdo vit

0
1018

Kanceri njihet si rritje e pakontrolluar e qelizave, që prodhojnë 1 tumor ose neoplazme dhe shifrat e të prekurve nga kjo sëmundje po pësojnë një rritje të frikshme nga viti në vit.

 

 

Në vendin tonë aktualisht kemi mbi 7000 raste të reja të diagnostikuar me kancer në vit. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku i Shërbimit Onkologjik në QSUT, Orges Spahiu tregon se në bazë të një analize 5-vjeçare, është vërejtur një rritje me rreth 60% të personave të prekur nga kanceri. Mjeku më tej bën thirrje që të kryhen të gjitha diagnostikimet e nevojshme në mënyrë që sëmundja mos të kapet në stadin e fundit.

Çfarë simbolizon Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit?
4 shkurti është Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit, një iniciativë ku e gjithë bota bashkohet në luftën kundër kësaj epidemie globale. Dita botërore e luftës kundër kancerit ka si qëllim të parandalojë çdo vit miliona vdekje, duke rritur ndërgjegjësimin dhe edukimin për sëmundjen e kancerit dhe duke nxitur qeveritë dhe individë nëpër botë të veprojnë kundër kësaj sëmundjeje.

Si paraqiten shifrat e të sëmurëve nga viti në vit?
Vitet e fundit sëmundja e kancerit ka treguar një rritje të ndjeshme të incidencës, pra pacientët me kancer po shtohen dita-ditës. Alarmant është fakti se kanceri në dekadat e ardhshme pritet të rritet, duke u dy apo trefishuar. Numri i rasteve të reja të diagnostikuar me kancer në botë pritet të rritet me 70% në dy dekadat e ardhshme, duke vlerësuar se në 2030 numri vjetor global i të diagnostikuarve me kancer do të arrijë në rreth 23.6 milionë njerëz.

Po në Shqipëri si paraqitet situata?
Në vendin tonë aktualisht kemi mbi 7000 raste të reja të diagnostikuar me kancer në vit. Ndërkohë nga një analizë 5-vjeçare është vërejtur një rritje mesatare me rreth 12% në vit, ose një rritje me rreth 60% për 5 vitet. Kjo për arsye tashmë të njohura që variojnë nga ndotja e mjedisit tek stili i jetesës, abuzimi me alkoolin dhe kequshqyerja, jeta sedentare, obeziteti etj. Falë studimeve dhe kërkimeve intensive të vazhdueshme, janë bërë përparime të mëdha në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit.

Cilat janë kategoritë më të predispozuara për t’u prekur nga kanceri?
Vlen të theksoj se më së tepërmi, pra 4 nga 10 raste të diagnostikuara me kancer ndeshen në vende me të ardhura të ulëta ose mesatare, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Gjithashtu vlerësohet se rreth 70% e vdekjeve nga kanceri ndodhin në këto vende.

Në cilin stad të sëmundjes paraqiten pacientët te mjeku?
Karakteristikë e të sëmurëve me kancer në vendin tonë është diagnostikimi apo paraqitja tek mjeku në stade të avancuara të sëmundjes. Ky fakt përbën një sfidë shumë të madhe në luftën me këtë sëmundje, duke reduktuar në mënyrë domethënëse shanset e kurimit tek pacientët tanë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here