Në administratën publike do të punësohen 1.073 persona gjatë këtij viti. Lista me vendet vakante është publikuar në Fletoren Zyrtarë, ku përcaktohen institucionet që kanë vende bosh, pozicioni, orët e punës dhe kohëzgjatja e kontratës.
Janë 1.073 vende në administratën shtetërore, të cilat qeveria mendon t’i plotësojë me rekrutime të reja gjatë këtij viti. Në një vendim të marrë dje, Këshilli i Ministrave deklaron se numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2018 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, është gjithsej 1.073.
Sipas kategorive, 20 vende vakante janë në kuadrin e Trupës së Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues (TND), ku përfshihen drejtorë të përgjithshëm të institucioneve kombëtare. Për kategorinë e mesme drejtuese shpallen 83 vende bosh, për kategorinë e ulët drejtuese 305 dhe për kategorinë ekzekutive, 665 vende.