Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
Me propozim të Ministrisë së Arsimit, qeveria ka mbyllur shkollën e lartë universitare private “Justicia” në Tiranë për të gjitha programet e studimit.
Studentët që vazhdojnë aktualisht studimet në këtë universitet, do të transferohen në universitete të tjera, ndërsa institucioni do të përgatisë dosjen e çdo studenti brenda datës 16 shkurt.
“Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të përgatitë dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit apo përfaqësuesit ligjor, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 16 shkurt 2018”, thuhet në pikën dy të vendimit.
Shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e këtij institucioni jopublik do të përballohen nga vetë institucioni, ndërsa do të duhet të kthejë pagesat e kryera nga studentët ” për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj studentit”.
“Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të arkivojë të gjithë dokumentacionin mësimor, administrativ dhe financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, në përputhje me kuadrin ligjor mbi arkivat brenda datës 28 shkurt 2018“, thuhet në pikën 5 të vendimit.
Qeveria urdhëron gjithashtu që shkolla e lartë universitare “Justicia”, nuk duhet të kryejë asnjë lloj veprimi financiar apo lëvizje në llogaritë bankare të institucionit.
“Personi juridik privat, që përfaqëson institucionin privat të arsimit të lartë, të cilit i hiqet licenca, nuk mund të kryejë asnjëlloj ndryshimi të aksioneve apo të kuotave të shoqërisë, aseteve të luajtshme e të paluajtshme të saj, para shlyerjes së detyrimeve të parashikuara në këtë vendim”, thuhet në vendim.