Luan Rama: Vota kundër nismës së Presidentit Trump, akt pabesie ndaj SHBA

0
567

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka risjellë sërish në vëmendje votën e Shqipërisë në OKB kundër nismës së Presidentit të SHBA, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

 

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i LSI tha se vota e Shqipërisë kundër nismës së Presidentit Trump, është një akt pabesie ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Teksa e ka cilësuar papërgjegjshmëri qëndrimin e Qeverisë Rama, deputeti i LSI tha se kjo votë nuk u këshillua me asnjë isntitucion kushtetues.

Fjala në Kuvend e Zëvendëskryetarit të LSI-së Luan Rama

Zoti Kryetar i Kuvendit! Kolegë deputetë!
Kjo seancë që po zhvillojmë sot është një paradoks! E të gjithë ne, ne që jemi Kuvendi i Shqipërisë jemi sot personazhet absurdë të një paradoksi që vjen prej papërgjegjshmërisë, le ta quajmë kështu, por jo në mënyrë të paqëllimte, të vendimit të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama për të votuar kundër nismës së Presidentit të SHBA, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
E pavarësisht qasjes tonë ndaj këtij akti, pavarësisht edhe prej qëndrimit ndaj rezolutës së propozuar, pesha e turpit të asaj vote, mbetet nder në si dëshmi pabesie e mosmirënjohjeje ndaj një shteti e ndaj një qeverie mike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qeveria e Presidentit Trump.

Po përse votimi kundër nismës Trump në OKB ka krijuar shqetësim jo vetëm në Shqipërinë shtetërore, por edhe ndër gjithë botën shqiptare?

Para së gjithash, sepse qe një votim i papritur, kontrovers, i pashqiptuar në asnjë mjedis shqiptar, i pakëshilluar me asnjë institucion kushtetues.

Jo vetëm kaq, por ishte dhe një vendim që shkonte dhe shkon kundër sentimenteve politike konsensuale popullore.

Në këtë rast, nuk e kam fjalën vetëm për ndjeshmërinë e përgjithshme të shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e kanë parë dhe e shohin atë si të parën fuqi të madhe me rol në rendin botëror, që kanë mbrojtur Shqipërinë dhe interesat e shqiptarëve në emër të drejtësisë, të së drejtës historike, të së drejtës së vetëvendosjes, pa ndonjë interes për të instrumentalizuar politikën e saj.

Ndjeshmëria politike e shqiptarëve është po aq e njohur edhe ndaj hebrenjve. Dihet mirë prej dokumenteve historike se edhe gjatë viteve të luftës, palët e papajtueshme, partizanë e ballistë, arritën marrëveshje për të mos i përzier hebrenjtë në konfliktet e tyre dhe për t’i mbrojtur bashkërisht kundrejt rrezikut.

Vota kundër rezolutës Trump provoi se në shërbimin tonë diplomatik ende diplomacia kuptohet si në burimin e fjalës në gjuhën greke, dhiplomata, me dy fytyra.
Kështu ka qenë kur kishte luftë të ftohtë, por në demokracitë liberale dhe në jetën e qytetëruar ndërkombëtare nuk është më kështu. Ka qenë me dy fytyra kur negociohej për fuqi jashtë aleancash, jo si në kohën e sotme, kur Shqipëria lutet të bëhet pjesë e një bashkësie të madhe popujsh si Bashkimi Europian dhe mburret që është anëtare e barabartë e NATO-s.
Kur ka aleanca, diplomacia është dhe duhet të jetë e sinqertë, pa hile dhe pa të papritura. Në aleanca nuk ka “sot të dua, nesër nuk të dua”.

Po pse me dy fytyra? Sepse ka një pike ku ne të gjithë, të majtë e të djathtë, betohemi për sinqeritet: miqësia me Shtetet e Bashkuara. E shumta-e shumta, mund të bëjmë ndonjë qortim për ambasadorët.

Ne të gjithë e dimë se, kur shqiptarët vendosën të ndryshojnë sistemin, kur rinia thërriste “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, thellë-thellë me Europën e me Perëndimin ata kuptonin Amerikën.

Një prej politologëve shqiptarë më të shquar, i ndjeri Arbër Xhaferi, pati thënë: Të përfitojmë sa të mundemi nga ky sezon dashurie e simpatie që Amerika tregon ndaj nesh. Ky sezon në fakt ka gati tri dekada që shfaqet e manifestohet. Madje edhe me kosto.

Unë nuk jam nga ata që mendojnë në mënyrë naive se edhe në diplomaci punët bëhen me besë a me pabesi. Por jam i bindur se marrëdhëniet midis aleatëve edhe në diplomaci kanë skrupuj dhe sinqeritet. Në këtë kuptim, edhe sikur diplomacia jonë të ketë qenë aq largpamëse sa të parashikonte rrëzimin e rezolutës, mund të vendoste ta çonte dëm atë votë, të zgjidhte humbjen, për të mos vënë në dyshim në asnjë çast ndjenjat proamerikane të popullit shqiptar.

Po ta shohim problemin në thellësi, vota kundër e diplomacisë shqiptare, tek pala e prekur drejtpërdrejt, tek Izraeli, nuk ka prodhuar ndonjë veprim të dukshëm kundër. Ashtu sikurse nuk ka prodhuar tek ne asnjëherë ndonjë refuzim diplomatik formula e Izraelit “Yes but not yet” për raportet me Kosovën. Dhe kjo është një shenjë tjetër se popujt me miqësi të vërtetë e mirëkuptojnë njëri-tjetrin. Por pyetja ime është shumë e thjeshtë: a ka qenë llogaritur si votë kundër në prognozën amerikane vota e Shqipërisë? Ndoshta kjo parashihej për çdo shtet europian, por për Shqipërinë jo.

Sepse për interesat e Shqipërisë, për të konsoliduar një rend të drejtë gjeopolitik në Ballkan, edhe në shenjë vlerësimi për rolin paqësues të shqiptarëve në rajon, Amerika mban prej dekadash trupa ushtarake rreth e qark nesh, përballet me manifestime antiamerikane nëpër kryeqytete andej-këndej, përballon koston që simpatia ndaj njërit prodhon antipatinë e tjetrit, ndoshta dhe urrejtjen.

Nuk po merrem me çfarë përhapin logokratët nëpër media, me atë që e quajnë hakmarrje amerikane. Jam i bindur se hakmarrje të tillë nuk do të ketë. Ndoshta do të kuptojnë pasiguritë e diplomacisë shqiptare, voluntarizmin, druajtjet, solidaritetet e vogla dhe shumë të tjera. Por një ndryshim të vogël qëndrimi po e shohim, dhe kjo kosto vjen prej çoroditjes që sundon në diplomacinë shqiptare, prej mungesës së kauzave të paprekshme, prej strategjisë, e cila nënkupton se miqtë duhet të mbahen edhe me kosto, edhe me humbje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here