Gjykata e Tiranës rrëzon padinë e ish-ministres Mimi Kodheli ndaj Reila Bozdos për një deklaratë-akuzë të kësaj të fundit nga foltorja e PD.
Gjykata e Tiranës ka arsyetuar se padisë së ish-ministres, aktualisht deputete e PS i mungon legjitimiteti. Sipas vendimit, të gjitha shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse, pra vetë Kodhelit.
HISTORIA:
Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në vitin 2015, ka paditur Anetaren e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Reila Bozdo për “Shkaktim Demi” dhe ka kërkuar nga gjykata që ta detyrojë të paditurën që “te shperbleje demin jopasuror të shkaktuar nga deklarimi i bërë nga ana e saj më datë 09.11.2015, ne prani te mediave, ne masen 50.000 Euro” si dhe “të ërgenjeshtroje faktet dhe të dhenat e pasakta pjesë e deklarateës së dates 09.11.2015, në mediat kryesore të Republikes së Shqipërisë.”
Bozdo kishte akuzuar qeverinë se i ka dhënë tenderin për vëzhgimin e hapësirës detare një dyqani celularësh. “Kontolli ka zbuluar se tenderi për blerjen, furnizimin, instalimin dhe vënien në punë të sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës detare, Kodheli ia ka dhënë një dyqani celularësh në rrugën e Durrësit. Dyqani i përzgjedhur nga ministrja Kodheli do të operojë hapësirat detare, dhe flasim për rrugët nga ku kalon trafiku i drogës. Në një rrugë dy punë. E para ndahen 285 milionë lek me dyqanin e celularëve. E dyta garanton rrugët detare të trafikut të drogës. Dëmet ekonomike janë qindra milionë lekë dhe procedura është nëpërkëmbur sipas nevojave dhe dëshirave të ministres Kodheli”, deklaroi Bozdo asokohe nga foltorja e PD.