Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur sot hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant të anëtarit në Gjykatën Kushtetuese.
Në një njoftim në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë thuhet se: “Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 125, 127, pika 1, shkronja “b” dhe 179, pika 2, të Kushtetutës, dhe në nenet 7, 7/a 7/c dhe 86, pika 4, shkronja “a”, të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me qëllim plotësimin e “vakancës së dytë” të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit të kësaj gjykate, Vladimir Kristo, shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese”.
Po ashtu, në njoftimin e kuvendit shpallen kriteret për kandidatët, të cilët duhet të plotësojnë Formularin e vetë deklarimit sipas ligjit nr.138-2015 “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe Formulari për aplikim për informim për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, autoriteti për informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit (AIDSSH).