Artistët prej ditësh po protestojnë kundër nismës së ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar.
Ministria e Mirela Kumbaros dëshiron që të ndërtojë kulla e pallate në hapësirën ku sot gjendet Teatri Kombëtar e që aktorët duan ta shpallin Monument Kulture.
Ministrja Kumbaro një ditë më parë u dërgoi një letër artistëve ku me nota ironie i kujtonte se nuk protestuan kur Teatri u kthye në bingo.
Sakaq, përgjigjen ministres ia kthen regjisori e publicisti Kastriot Çipi duke publikuar kontratën e qirasë lëshuar nga kryeministri Edi Rama në vitin 1999 kur mbante postin e ministrit të Kulturës. Ka qenë pikërisht Rama ai i cili ka dhënë me qira sipërfaqen në Teatrin Kombëtar për të hapur një klub bingo.
“Ndërkohë ju si intelektuale apo vëllai juaj regjisor teatri a kanë protestuar ndonjëherë për Bingon, për Klubin e Natës Bretkosa, për pishinën që u dha me qera dhe u bë pishinë publike. Të gjitha këto kontrata qiraje i lidhi ish-minisyri i Kulturës, sot kryeminisër. Mos do të të japim edhe kopjet e kontratave”, e pyet me nota sarkastike Çipi ministren Kumbaro ndërsa i publikon kontratën që mban firmën e Ramës.