“Shqipëri-BE”/ Bushati: Rrezikojmë të bëhemi vendi i tretë që del me 2 qëndrime

0
775

Ministri i jashtëm Ditmir Bushati, në sesionin e parë të takimit të 12 të Komisionit për Stabilizim-Asocimin në BE dhe Shqipërisë, ngriti shqetësimin mbi faktin se Shqipëria po vijon të dalë me 2 qëndrime, apo dy raporte të ndryshme në negociatat me ndërkombëtarët.

“Në fakt, sot po kujtoj vitet kur ishim në shkollë dhe profesorët na thoshin që ka gjithmonë dy vende, që dalin me dy raporte, qoftë në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, por edhe në Komisionet Europiane. Njëri prej tyre është prej vitesh anëtar në Bashkimin Europian dhe tjetri është aspirant, por ka probleme emri me një fqinj (i referohet Greqisë dhe Maqedonisë). Sot ne rrezikojmë të kthehemi vendi i 3-të që dalim me dy qëndrime të ndryshme dhe me lexime të ndryshme të aktualitetit, për shkak të interesave të caktuara”, u shpreh Bushati.

Bushati në lidhje me çështjen e kultivimit dhe trafikimit të drogës, tha se janë bërë hapa të rëndësishëm drejt parandalimit të këtij fenomeni.

“Ne jemi i vetmi vend në Ballkan, që hapësira ajrore na monitorohet edhe nga një shtet tjetër. Pra, ne bashkëpunojmë me Guardia Di Finanza-n e Italisë, për të monitoruar të gjithë territorin dhe për të luftuar fenomenin e kultivimit të kanabisit. Në 2017-ën patëm rezultate mbresëlënëse në drejtim të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe kjo evidentohet qartë edhe nga raportet, qofshin vendase, por edhe ndërkombëtare”, tha Bushati.

Ndërkohë në lidhje me çështjen Tahiri ai tha:

“Qëndrimi im si pjesë e kabinetit qeveritar është ashtu si qëndrimi i mazhorancës për çështjen ‘Tahiri’. Ne inkurajojmë dhe mbështesim prokurorinë, që të provojë akuzat e saj në gjykatë, për Saimir Tahirin apo për cilindo tjetër”, u shpreh Bushati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here