Terheqja e Llalles,reagon Donald Lu

0
702

Të shtunën ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i dorëzoi Presidentit kërkesën për t’u tërhequr nga e drejta e emërimit në Gjykatën e Apelit. Njëherësh, ai iu drejtua organeve të vettingut me kërkesën për të mos iu nënshtruar këtij procesi.

Duke e konsideruar këtë si një akt individual, Ambasadori Lu thotë se spastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit, është një arritje.

“Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar e të paaftë, është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”, tha ambasadori Lu.

kryediplomati amerikan në vendin tonë heq dyshimet nëse pas tërheqjes nga sistemi do t’i nënshtrohet ose jo procesit të vetting-ut.

“Tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vetting-u, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori.

Mandati i Adriatik Llallës përfundoi më 7 dhjetor 2017, pas qëndrimit në krye të organit të akuzës për 5 vite. Gjatë procesit të zëvendësimit të tij me një prokuror të përkohshëm, ishte sërish Donald Lu që foli ashpër. Ai tha se Shqipëria duhet të zgjedhë një kryeprokuror, që të mos mbrojë më politikanët e korruptuar, duke iu referuar indirekt Adriatik Llallës, që sipas ambasadorit ka mbyllur çdo dosje korrupsioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here