Kredia e keqe ulet 5% brenda një viti

0
648

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kreditë e këqia në dhjetor 2017 arritën në 13.23% të totalit të portofolit të kredisë bankare, me një rënie të dukshme me 5 pikë përqindjeje në krahasim me dhjetorin 2016, kur ishin 18%.

Ky është niveli më i ulët i huave problematike që nga dhjetori 2010. Në 2013-n u shënua dhe niveli rekord, ku gati një e katërta e huave ishin në vonesë më shumë se tre muaj. Ndërkohë, u konstatua se 35 sipërmarrje të mëdha kishin mbi 60% të totalit të huave me probleme.

Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një proces ristrukturimi të huasë me probleme, një kombinim i fshirjes nga bilanci të kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, por edhe ristrukturimit të detyrimeve të kompanive. Sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, pothuajse gjysma e 35 kompanive kanë ristrukturuar huatë dhe po i kthejnë gradualisht. Rreth 7 kompani vlerësohet se janë të falimentuara dhe nuk ka mundësi rikuperimi.

Në vlerë absolute, kredia që nuk kthehet për më shumë se tre muaj është 72 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro, nga 99 miliardë lekë që ishin në fund të 2016-s. Deri në fund të 6-mujorit të pare 2017, bankat kishin fshirë në total nga bilancet 43 miliardë lekë, rreth 320 milionë euro.

Rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së kredive të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave. Cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here