Ministria e Mjedisit anulon lejen mjedisore për ndërtimin e dy HEC-eve në lumin e Osumit, duke shpallur të pavlefshme vendimin e mëparshëm të Agjencisë së Mjedisit që lejonte ndërtimin e dy HEC-eve Bigas 1 dhe Bigas 2.
Vendimi erdhi vetëm pak ditë pasi Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi dhe më pas edhe kryeministri Rama deklaruan se nuk do të lejonin ndërtimin e Hidrocentraleve në kanionet e Osumit.
Vendimi i anulimit është firmosur sot ku Agjensia Kombëtare e Mjedisit ka argumentuar se ka vërejtur shkelje në kontratë, duke e shpallur lejen e mëparshme të pavlefshme për shkak se i ka tejkaluar afati.
Pas anullimit të lejes mjedisore i takon Ministrisë së Energjetikës të anulojë marrëveshjen koncesionare për projektin e dy HEC-eve.
Ministri Gjiknuri deklaroi gjithashtu se do ta anulonte marrëveshjen nëse Agjensia e Mjedisit anullonte lejen.
Koncesioni për ndërtimin e dy Hidrocentraleve mbi lumin Osum është dhënë në prill të vitit 2013.