Pas kërkesës që i dorëzoi Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme që të jepej plotfuqishmëri për nisjen e negociatave me Greqinë, presidenti Ilir Meta ka bërë lëvizjen e radhës për konsultime me ish-krerët e shteteve.
Kështu, pasi takoi Nishanin dhe Bamir Topin, sot Meta pret në zyrën e tij edhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Takimi mes Metës dhe Berishës do të mbahet pasdite. Gjykata Kushtetuese vendosi që pa lejen e presidentit marrëveshja me shtetin fqinj, Greqinë nuk ka vlerë.
Kërkesa e Ministrisë së Jashtme mbërriti të martën në zyrën e presidentit, ku kërkohet plotfuqishmëria në lidhje me nisjen e negociatave dypalëshe të Shqipërisë dhe Greqisë.
Në rastin e kufirit detar, kriteret e dakordësuara janë ato të 12 miljeve dhe të vijës së mesit mes kufirit të të dy vendeve. Nga parimi i 12 miljeve përfitonin Shqipëria dhe Greqia bashkë dhe se matja do të niste nga ishujt grekë të banuar në vitin 1913.