Qeveria ka vendosur të përqendrojë një pjesë të madhe të tenderave publikë në një dorë të vetme. Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen e një institucioni të ri, të quajtur Agjencia e Blerjeve të përqendruara, e cila do të zhvillojë të gjithë tenderat publikë për 25 proçedura prokurimi. Sipas vendimit, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Përmes këtij vendimi qeveria ja ngarkon Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, prokurimin e fondeve buxhetore për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve për 25 lloje proçedurash. Ndër to bëjnë pjesë blerje automjetesh, karburanti, pajisjet e kancelarisë, mobileritë dhe pajisjet e zyrave, sigurim automjetesh dhe të tjerë.
Të gjitha këto prokurime tashmë nuk do të bëhen më nga institucionet që kanë nevojë, por do të blihen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara për llogarinë e tyre.
“Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të qendërzojë/do të fillojë kryerjen e procedurave të prokurimit me paraqitjen e çdo kërkese të paraqitur nga autoritetet kontraktore,” thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Agjencia, si organ qendror blerës, i autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka si mision kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të përcaktuara në aktin nënligjor përkatës.
Kjo agjenci drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Brendshëm. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.