Vetting policisë, Xhafaj: Përjashtohet nga detyra kush nuk kalon testin, do të monitorojnë të huajt…

0
866

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar se do të kalojnë në sitën e Vetting-ut të gjithë punonjësit e policisë, SHÇBA dhe Garda e Republikës, duke shtuar se do të përjashtohen nga detyra të gjithë ata që nuk kalojnë testin.

Në Komisionin e Sigurisë, ku u prezantua projektligji për Vetting-un në polici, Xhafaj theksoi se procesi i Vetting-ut do të jetë transparent dhe në themel ka tri shtylla kryesore, atë të kontrollit të figurës, pasurisë dhe profesionalizmit të punonjësve.

“Do t’i nënshtrohen Vetting-ut policit, SHÇBA dhe Garda e republikës. Nga analiza rezultuan probleme që lidhen me integritetin dhe figurën e punonjësve, korrupsion dhe paaftësi në strukturat e punonjësve, vlerësime negative nga partnerët ndërkombëtarë për aspekte te veçanta, si dhe opinione të shoqërisë civile dhe publikut. Në ndërtimin e pr/ligjit duam që të ketë transparencë dhe besueshmëri për punonjësit, por edhe publikun, që të sigurojë gjithëpërfshirje në këtë proces, si dhe të jetë proces sa më i monitoruar nga ndërkombëtarët. Procesi ka në themel tri shtylla, kontrolli i figurës, pasuritë dhe profesionalizimi i punonjësve”, deklaroi ministri.

Më tej, ministri Xhafaj sqaroi se Vetting-ut mund t’i nënshtrohen edhe ish-punonjësit e policisë, që plotësojnë kriterin e gradës dhe që janë më pak se 47 vjeç. Ndërsa shtoi se i gjithë procesi do të monitorohet nga partnerët ndërkombëtar, PAMECA dhe IPAC.

“Një rol të rëndësishëm do kenë dhe partnerët ndërkombëtar, PAMECA dhe IPAC do monitorojnë gjithë procesin. Brukseli po shqyrton mundësinë e një prezence prej tyre për të ndjekur procesin, monitoruar dhe certifikuar hap pas hapi me standardet ndërkombëtare.

Do garantojmë standarde sa më të mira ndërkombëtare. Ata që mund t’i nënshtrohen procesit të Vetting-ut janë edhe ish policët e larguar, por që plotësojnë kriterin e gradës dhe që janë më pak se 47 vjeç Këta punonjës mund të rikthehen nëse janë larguar si pasojë e ristrukturimeve, por edhe me masën përjashtim, kur kjo është shfuqizuar nga gjykata. Objekt verifikimi do të jenë pasuritë, për profesionalizimin do verifikohen dokumentet, testimet akademike. Organet e vlerësimit do të ndërtohen në raport me sistemin gradave që kanë aktualisht.

Në fazën e parë, testimin ose vetimin për 300 punonjës nga një komision me 15 anëtarë. Faza e dytë, testimi për 3 mijë punonjës nga një komision me 45 anëtarë. Faza e tretë, 9 mijë punonjës, nga një komision me 135 anëtarë.

Vendimet që mund të merren: konfirmimi në detyrë, detyrimi për trajnim për ata që kanë probleme në formimin dhe aftësitë e tyre, emërimi në detyrë për ish-punonjësit që kalojnë testin e Vettingut, përjashtim nga detyra ata që nuk kalojnë testin e Vettingut.

Punonjësit që vetohen kanë gjithë të drejtat e një procesi të rregullt, për t’u vlerësuar në mënyrë të paanshme. Të dëgjohet në seancë dëgjimore dhe të mbrohet, apo dhe të ankohet para organeve gjyqësore për përjashtim nga detyra”, shtoi ministri Fatmir Xhafaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here