Pas vendimit të Drejtorisë së Transportit Rrugor për të ndryshuar testin teorik për marrjen e patentës, instruktorët e autoshkollave, thonë se vendimi është pozitiv, pasi janë përjashtuar pyetjet me përgjigje asnjëanëse, që shpesh herë bëheshin shkak për të ngelur në testim.
Instruktor Skënder Hasmeta: “Ne i shikojmë si faktor pozitiv përsa i përket marrjes së provimeve të teorisë. Ishin hartuar një pjesë testesh që përmbanin pyetje me dy kuptime. Kishte dhe pyetje që nuk gjendeshin në literaturë”.
Vendimi i ri për testin e patentës, ku sërish gabimet e lejuara për të marrë teorinë do të jenë deri në 4, pritet të hyjë në fuqi nga 1 marsi. Insturktorët thonë se kushti me 4 gabime është penalizues për disa kategori që e kryejnë mes vështirësive sociale dhe ekonomike kursin e lejes së drejtimit.
Instruktor Skënder Hasmeta: “Flitet që në datën 1 mars hyn në fuqi testi i ri me 4 gabime. Realisht ne e quajmë këtë si të paligjshëm nga ana pedagogjike për arsye se kërkohet patjetër nota 9 ose 10. Niveli shoqëror dhe ekonomik në Shqipëri është i dobët. Nuk kanë mundësi të gjithë të frekuentojnë autoshkollat. Marim një për shembull që është në një fshat të largët të Tiranës dhe si do e frekuentoj autoshkollën në këto distanca të largëta. Ne me këta përdorim metodën e mësimeve të grupuara të shtunë, të dielë, u japim literaturën me vete”
Aktualisht, autoshkollat janë në pritje të vendimit të Ministrisë së Transporteve, në mënyrë që të parapërgatisin kursantët me testet e reja. Sa i takon tarifës, deri tani nuk është miratuar asnjë ndryshim.
Instruktor Skënder Hasmeta: “Ne s’kemi akoma informacion se duhet të na kishin ripyetur për ta kaluar përfundimisht testin në punë dhe tani që po hidhen testet nuk na janë dhënë neve autoshkollave të përgatisim kursantët. Për kursantët e pajisur me reflekse ne përdorim çmimin 35 mijë lekë ku përfshihet teoria, praktika dhe patenta”
Në total testi teorik i marrjes së lejes së drejtimit përban 40 kërkesa, të cilat janë përzgjedhur nga një fond me rreth 7 mijë pyetje.