“Goes on”, 2 ne pranga dhe 2 ne kerkim, Lezhe, kapen mina me telekomande, hashash dhe fitila zjarrpercjelles

0
1044

Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Goes on”, duke sekuestruar mina me telekomandë, lëndë narkotike, fitil zjarrpërcjellës, telefona dhe automjete. Në flagrancë u arrestuan dy shtetas, ndërsa dy të tjerë u shpallen në kërkim. Të arrestuar janë: Artur Popa, 46 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Valias, Kamëz, (i dënuar më parë) si dhe Valtor Cala, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Në kërkim janë shpallur dy bashkëpunëtorët e tyre ku për shkak të hetimit nuk jepen të tjera të dhëna për ta.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative kishte regjistruar procedimi penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ku si rezultat i një pune disa javore me metoda speciale të hetimit u arrit të dokumentohej aktiviteti i tyre kriminal. Shtetasi Artur Popa me automjetin e tij me targë AA 811 GF , i shoqëruar nga automjeti tjetër me targë AA 733 DM, që drejtohej nga shtetasi Valtor Cala, transportonte 3(tre) mina me telekomandë ku në hyrje të qytetit të Lezhës, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke kapur në flagrancë të dy shtetasit ne fjale.

Gjithashtu gjatë kontrollit shtetasit Artur Popa ju gjet dhe një sasi prej 55 gramë lëndë narkotike e llojit cannabis sativa e ngjashme me atë të vajit të hashashit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga grupi hetimor u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë.  55 gramë lëndë narkotike e ngjashme me atë të vajit të hashashit,  14 telefona celularë, dy automjete, 3 fitila si ato zjarrpërcjellës dhe një çantë ku ishin futur minat.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mbajtja e bombave dhe minave me telekomandë në mjedise publike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here