Vettingu: Në 24 muaj pastrohen Policia, SHÇBA dhe Garda

0
844

Vettingu në polici do të largojë brenda dy viteve, të gjithë ata punonjës të policisë të cilët rezultojnë se kanë pasuri të pajustifikuar apo që kanë shkelur ligjin.

Sipas pr/ligjit që pritet të miratohet të enjten nga kuvendi i Shqipërisë, në sitën e Vettingut të Policisë do të kalojnë të gjithë punonjësit e kësaj trupe, duke nisur pikërisht nga drejtuesit e saj më të lartë.

 

Julian Hodaj, zv.ministër i Punëve të Brendshme, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare sqaroi se ligji nis nga puna 15 ditë pasi të miratohet nga kuvendi, ndërsa shtoi se faza e parë do të zgjasë 24 muaj dhe faza e dytë do të përsëritet në fragmente kohore çdo 3 vite.

Hodaj gjithashtu nënvizoi se Komisioni që do të ngrihet për të bërë vlerësimin e figurës së punonjësit të policisë është i pavarur.

“Procesi i vlerësimit në Policinë e Shtetit, SHÇBA dhe Gardën e Republikës, synon të mbështesë pjesën e shëndetshme në radhët e këtyre institucioneve duke larguar pjesën e infektuar dhe që ka probleme me ligjin, duke synuar hedhjen e bazave për të ndërtuar policinë e së ardhmes”, tha Hodaj.

“Procesi mbështet në tre kritere, tek pastërtia e figurës, tek pasuria dhe tek aftësitë profesionale. Ideja është që në vlerësim do të kalojnë të gjithë punonjësit duke nisur nga titullari deri tek punonjësi më i thjeshtë”, tha Hodaj.

“Sistemi i gradave ndan këta punonjës në tre kategori, grada e lartë ku bëhet fjalë për 300 punonjës, e mesme që e kanë 3 mijë punonjës dhe e ulët ku futen rreth 9 mijë punonjës. Do vlerësohen fillimisht gradat e larta, pra drejtuesit e mëdhenj. Për vlerësimin e gradave të larta, do përdoret një komision që në ligj quhet Komisioni i Jashtëm, që janë anëtarë nga jashtë sistemit të Policisë së Shtetit. Konkretisht 5 anëtar vijnë nga LDKPI, 5 anëtarë nga radhët e pedagogëve, dhe 5 anëtarë përzgjidhen me konkurrim anëtarësh. Në fazë të dytë është Komisioni Qendror i Vlerësimit që do të ketë 45 anëtarë, 30 nga të cilët do të shtohen nga radhët e policisë që e kanë kaluar “Vetting”-un në fazën e parë. Në fazën e fundit komisioni i vlerësimit do të ketë 135 anëtarë që do të shtohen nga radhët e Policisë që kaluan fazën e dytë me sukses”, deklaroi Hodaj për ATSH.

Dhe më pas këto komisione pushojnë së funksionari dhe SHÇBA vijon kontrollet periodike çdo tre vite”, theksoi Hodaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here