Franca masa të ashpra për emigracionin, kryesojnë azilkërkuesit shqiptarë

0
1339

Emigrimi drejt Francës do të bëhet më i vështirë. Qeveria e Emmanuel Macron ka propozuar një draft të ri që përshpejton procedurat e dëbimit për emigrantët e jashtëligjshëm dhe ashpërson masat e tjera të marra ndaj tyre. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga 100,000 kërkesat për azil që Franca shqyrtoi gjatë vitit të kaluar, shumica i përkisnin personave nga Shqipëria e Afganistani.

Qeveria e Emmanuel Macron ka propozuar draftin e ri për emigracionin, pavarësisht kritikave nga grupet për të drejtat e njeriut.

Projektligji i ri parashikon përshpejtim të procedurës së dëbimit për ata të cilët nuk përmbushin kushtet për të përfituar azil si dhe dyfishon periudhën e burgimit të emigrantëve të jashtëligjshëm në 90 ditë.

Edhe pse drafti nuk është bërë ende publik, mediat franceze shkruajnë se veçanërisht Neni 16 do të jetë i ashpër.

Sipas kësaj pike, emigrantët ilegalë të cilët përdorin dokumenta të rreme identifikimi mund të gjobiten deri në 75,000 euro dhe të burgosen deri në 5 vite.

Masat e reja pritet gjithashtu ta bëjnë më të vështirë kalimin e jashtëligjshëm të kufinjve, me dënime që mund të shkojnë deri në 1 vit burgim apo gjoba që do të arrijnë deri në 3,750 euro.

Ministri i Brendshëm Gerard Collomb deklaroi se plani në fjalë është “i balancuar” dhe “në përputhje me procedurat europiane”.

Collomb deklaroi se Franca duhet të mirëpresë refugjatë, por jo të gjithë emigrantët ekonomikë që kërkojnë të hyjnë në vend.

Franca pa një rritje rekord të numrit të azilkërkuesve gjatë 2017. Shifrat zyrtare tregojnë se mëse 100,000 persona kanë aplikuar për azil në vend, 17% më shumë krahasuar me vitin 2016.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here