Kane filluar “ethet” e ndryshimeve ne Banken e Shqiperise

0
766

Në nëntor të këtij viti përfundon mandati i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Genti Sejko dhe i katër antarëve të këshillit të Mbikëqyrjes, Petraq Milo, Dhori Kules, Ela Golemit dhe Elisabeta Gjonit.

“Ethet” e zgjedhjes së guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë kanë filluar tashmë dhe janë disa pretendentë në garë, përfshirë edhe guvernatorin aktual.

Gent Sejko u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të vijuar mandatin e lënë përgjysmë nga ish Guvernatori Ardian Fullani. Ky i fundit ishte zgjedhur për një mandat të dytë në Bankën e Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.
Si pasojë e përfundimit të mandatit 7 vjeçar të guvernatorit, këtë vit rihapet gara për Guvernatorin dhe 4 anëtarë të Këshillit të Mbikëqyrjes, të cilët duhet të rizgjidhen ose te ikin nga pozicionet jo më vonë se nëntori i këtij viti.
Neni 161 i Kushtetutës përcakton se, Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
Gjithashtu anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.

Po çfarë parashikon komentari i nenit 44, lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Këshilli Mbikëqyrës dhe guvernatorit:
Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë:
-Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi;
-Tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave;
-Një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.

Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë, persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë:
arsimin e lartë ekonomik ose juridik; përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare; kualifikime profesionale të profilit; përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare; të mos kenë pengesa të parashikura në nenin 47.
Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, për guvernatorin dhe zëvendës guvernatorët është shtatë vjet, duke synuar që datat e mbarimit të këtij afati të çdo anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të jenë të shpërndara gjatë periudhës shtatëvjeçare. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori dhe zëvendës guvernatorët mund të rizgjidhen, përveçse kur shkarkohen sipas rasteve të parashikuara në nenin 47 të këtij ligji.

Edhe profesor Arben Malaj konfirmoi për Monitor se ai është një prej emrave që u mbaron mandati, pasi ka zëvendësuar mandatin e znj.Ermelinda Meksi.

Drejtuesit e BSH që u përfundon mandati

-GENTI SEJKO u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ai mori mandatin e lënë përgjysmë të nisur nga guvernatori Fullani në vitin 2011.
-DHORI KULE është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.
-ELA GOLEMI është zgjedhur anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor 2011 dhe nga muaji gusht 2015 është anëtare edhe e Komitetit të Auditimit të Bankës së Shqipërisë.
-ELISABETA GJONI është Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012. Ajo është edhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit nëntor 2011.
-PETRAQ MILO është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011

-ARBEN MALAJ-zëvendësoi mandatin e Ermelinda Meksit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here