Eurostat ka publikuar të dhënat më të fundit për pagat minimale në Europë, ku në analizë merren jo vetëm vendet e Bashkimit Europian, por edhe ato kandidate për t`u bërë pjesë e unionit, si Shqipëria.
Me një pagë minimale në 180 euro në muaj, Shqipëria nuk njeh asnjë rival për vendin e fundit. Ndjekësja më e afërt është Serbia me 285 euro në muaj pagë minimale. Por ajo që duket se është më shqetësuese është progresi i bërë në këtë drejtim në 10 vitet e fundit.
Siç dallohet qartë edhe nga grafiku, ku ngjyra e kaltër i referohet 2018-ës dhe ajo e verdhë 2008-ës, Shqipëria është vendi që ka bërë progresin më të ulët mes të gjitha vendeve të tjera europiane, madje, në 2008-ën, Shqipëria nuk ishte e fundit në këtë renditje, pasi linte pas Bullgarinë dhe Rumaninë.
Në 2008-ën, paga minimale në Shqipëri fiksohej në 139 euro, në Bullgari në 113 euro dhe në Rumani në 137 euro në muaj.
Në 2008-ën, këto dy shtete kishin ekzaktësisht një vit që ishin bërë pjesë e Bashkimit Europian, dhe në harkun e 10 viteve, progresi është i ndjeshëm./Scan