Qytetarët të cilët duhet të kryejnë aplikim për regjistrimin e pronësisë, si dhe procedura të tjera hipotekore mund ta bëjnë përmes aplikimit online tek noteri.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015, mes Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe Qeverisë, është bërë e mundur që 21 shërbime të cilat më parë u merrnin vetëm tek zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të realizohen edhe përmes noterit, duke shkurtuar kohë dhe radhë të gjata tek hipotekat.
Mimoza Sadushi, Kryetare e Dhomës së Noterëve tha për ATSH se janë 21 shërbime që qytetarët përfitojnë nga shërbimet noteriale. “Duke nisur nga certifikatat e pronësisë, kartela, aplikime për regjistrimin e trashëgimia së pronës. Pra shërbime që ndërlidhin noterin me zyrën e hipotekës, duke bërë regjistrimin online dhe kontratat e shitjes apo transferimit të pronësisë”, tha Sadushi, e cila pasqyroi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se si realizohet kjo procedurë përmes E-Albania online.
“Noteri pasi plotëson të gjitha aplikimin, ku kërkohet vetëm karta e identitetit, flasim këtu për certifikatën e pronësisë dhe dokumente të tjera që nuk kanë nevojë për identifikimin e zonës së pronësisë. Për rastet e shërbimeve të tjera, mjafton vetëm paraqitja e qytetarit tek zyra noteriale dhe është noteri që merret me procedurat dhe është noteri që ja dorëzon dokumentet qytetarit”, tha Sadushi.